

TIRANË — Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për ish-kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshi, dhe tre të pandehurit e tjerë, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.
Në fjalën përfundimtare, SPAK ka kërkuar dënimin me 1 vit burgim për Fredi Kokoneshin, si dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 3-vjeçare, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të shpallet nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).
Po ashtu, prokuroria ka kërkuar dënimin me nga 1 vit burgim për shpërdorim detyre dhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 2 vite për tre ish-zyrtarët e tjerë të Bashkisë Divjakë, konkretisht Dorian Spahon, Andi Bollarin dhe Ledio Xharon.
Ish-kryebashkiaku i Divjakës dhe tre zyrtarët vendorë akuzohen për shpërdorim detyre lidhur me kalimin e tokave bujqësore te kompanitë private për realizimin e investimeve në panele diellore. Sipas hetimeve, të cilat nisën fillimisht nga ish-Prokuroria e Lushnjës, bëhet fjalë për 70 hektarë tokë bujqësore që dyshohet se u janë kaluar në mënyrë të paligjshme dy operatorëve ekonomikë, me një afat shfrytëzimi 10-vjeçar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






