Transmetuar më 17-11-2026, 09:06

SAN HOZE — Gazetari 50-vjeçar Camilo Rodriguez është vrarë me armë zjarri në qytetin Heredia të Kosta Rikës, pasi dy persona të armatosur që lëviznin me motoçikletë e qëlluan disa herë teksa ai ndodhej brenda automjetit të tij. Sipas autoriteteve, autorët e qëlluan gazetarin nëntë deri në dhjetë herë dhe më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin e tyre dhe zbardhjen e motiveve të krimit.

Rodriguez ishte i njohur në vend për denoncimet e tij publike mbi lidhjet e dyshuara mes politikanëve dhe karteleve të fuqishme të drogës. Përmes rrjeteve sociale, ku publikonte pothuajse çdo ditë, ai kishte ngritur vazhdimisht akuza mbi aktivitetin dhe shtrirjen e krimit të organizuar.

Gazetari kishte deklaruar më herët se kishte marrë kërcënime me jetë dhe pretendonte se kishte përcjellë informacione mbi aktivitetin e karteleve edhe pranë Agjencisë Amerikane Kundër Drogës (DEA). Vrasja ka shkaktuar reagime të forta në komunitetin gazetaresk, ku Shoqata e Gazetarëve të Kosta Rikës kërkoi një hetim të shpejtë dhe të plotë për të vënë autorët para drejtësisë.

Edhe presidentja e vendit, Laura Fernandez, dënoi ngjarjen e rëndë, duke e cilësuar atë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes. Rodriguez kishte pasur më parë një përballje ligjore me presidenten, e cila në gusht të vitit 2025 kishte ngritur një padi për shpifje ndaj tij, pas pretendimeve të paprovuara të gazetarit lidhur me financimin e shtëpisë së saj nga një trafikant droge.

Ekzekutimi i tij rikthen në vëmendje shqetësimet serioze për rritjen e krimit të organizuar në Kosta Rika, e cila vitet e fundit është shndërruar në një pikë të rëndësishme logjistike për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit