Transmetuar më 17-11-2026, 08:56

BEOGRAD — Seanca konstituive e Kuvendit të ri të Serbisë pritet të nisë sot në orën 10:00, ku për herë të parë në ulëset e tij do të ulen deputetët e Listës Studentore, e cila fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit.

Lista Studentore siguroi 140 mandate, ndërsa lista “Serbia e Bashkuar”, e udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), fitoi 103 mandate, duke kaluar kështu në opozitë pas 14 vjetësh në pushtet. Në Kuvend do të përfaqësohen edhe partitë e pakicave, ku Koalicioni Shqiptar dhe Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës kanë nga dy mandate, ndërsa nga një mandat kanë lista “Njerëzisht” e Rasim Lajiqit, “Lëvizja për Bashkim” e Usame Zukorliqit dhe “SDA – Ruajtësit e Sanxhakut”.

Në rendin e ditës të seancës së sotme janë gjashtë pika: verifikimi i mandateve të deputetëve, zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit, emërimi i sekretarit të përgjithshëm, si dhe zgjedhja e anëtarëve të trupave punues të Kuvendit dhe e delegacioneve të përhershme parlamentare në institucionet ndërkombëtare. Emrat e kandidatëve për kryetar dhe nënkryetarë ende nuk janë bërë publikë.

Studentët kanë ftuar qytetarët të mblidhen në Parkun e Pionierëve, për t’i përcjellë së bashku përfaqësuesit e Listës Studentore drejt Kuvendit. Sipas tyre, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit ua ka refuzuar kërkesën për ta ndjekur seancën nga galeria e sallës, por ata kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë para ndërtesës së parlamentit.

Lista Studentore ka në radhët e saj shumë profesorë universitarë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, duke dalë nga lëvizja studentore që për dy vjet udhëhoqi protesta masive kundër pushtetit në Serbi pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Programi i saj përqendrohet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe lirinë e medias.

Nebojsha Vladisavleviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, vlerësoi se përvoja profesionale e deputetëve të rinj do të ndikojë drejtpërdrejt në punën e Kuvendit, duke shtuar se qytetarët ishin të pakënaqur me mënyrën se si kishin vepruar politikanët e deritanishëm të opozitës.

“Lista Studentore është një listë e mbështetur te ekspertët, një lloj liste teknokratike, me shumë doktorë shkencash dhe profesorë universitarë”, deklaroi Vladisavleviq.

Edhe politologu Dushko Radosavleviq vlerëson se ekspertiza e deputetëve të Listës Studentore mund të ndihmojë në hartimin e ligjeve më cilësore në parlament.

“Kur të debatohen ligje me rëndësi, qoftë për arsimin, shëndetësinë apo bujqësinë, do të ketë shumë njerëz që i kuptojnë vërtet këto çështje”, u shpreh ai.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit