

TIRANË — Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka firmosur urdhrin për uljen e tarifave të pajisjes me pasaporta biometrike dhe karta identiteti për disa kategori qytetarësh, masë e cila hyn në fuqi më 1 janar 2027. Përfitues të kësaj lehtësie financiare do të jenë fëmijët nën 16 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët mbi 65 vjeç.
Sipas vendimit të firmosur, për fëmijët nën 16 vjeç tarifa e pasaportës ulet nga 7,500 në 6,000 lekë. Për personat me aftësi të kufizuara, karta e identitetit do të kushtojë 1,000 lekë, nga 1,500 lekë që është aktualisht, ndërsa tarifa e pasaportës ulet në 6,000 lekë. Ndërkohë, për qytetarët mbi 65 vjeç, tarifa e kartës së identitetit ulet nga 1,500 në 1,000 lekë.
Kreu i Ministrisë së Brendshme e cilësoi këtë vendim si përmbushje të angazhimit të deklaruar më 2 tetor, duke theksuar se lehtësimi i kostove dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike duhet të ecin paralelisht.
“Për shumë familje, çdo shpenzim ka rëndësi. Prandaj është detyra jonë t’ua lehtësojmë marrjen e shërbimeve publike. Por dua të jem i qartë: qytetarët duhet të paguajnë më pak dhe të shërbehen më mirë!”, deklaroi Demo.
Ministri nënvizoi se ulja e tarifave është pjesë e një angazhimi më të gjerë për shërbime më të shpejta, më pak burokraci dhe më shumë kujdes ndaj qytetarëve, duke garantuar se do ta ndjekë personalisht zbatimin e këtij urdhri.
“Nuk mund t’i kërkojmë qytetarit të kuptojë vështirësitë e institucionit, nëse institucioni nuk kupton vështirësitë e qytetarit. Më pak kosto, më pak pritje dhe më shumë respekt për qytetarin!", përfundoi ministri Demo.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






