Transmetuar më 17-11-2026, 08:53

HAGË — Gjykata Speciale në Hagë pritet të nisë në orën 10:00 seancën për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të bashkakuzuarve të tij lidhur me akuzat për pengim të dyshuar të drejtësisë.

Përveç Thaçit, në këtë proces gjyqësor akuzohen edhe ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu. Të pesë të akuzuarve u është kërkuar të jenë fizikisht të pranishëm në sallën e gjyqit, në një seancë që zakonisht transmetohet me dhjetë minuta vonesë.

Gjatë fjalës përfundimtare, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënimin me gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nga tre vjet burgim për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe nëntë muaj burgim për Hajredin Kuçin.

Hashim Thaçi është dënuar më 16 shtator, në shkallë të parë, me 25 vjet burgim për krime lufte, ndërsa nëse shpallet fajtor edhe në këtë çështje për pengim të drejtësisë, ai rrezikon një dënim shtesë. Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm përballë akuzave.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit