Transmetuar më 17-11-2026, 07:40

Banka e Shqipërisë ka publikuar zyrtarisht rregulloren e re “Për tarifat e shkëmbimit për transaksionet e pagesave të bazuara në kartë”, e cila është përshtatje e direktivës së Bashkimit Europian të vitit 2015 dhe synon uljen e kostove që bankat u ngarkojnë bizneseve për pranimin e pagesave elektronike.

Sipas këtij dokumenti, duke filluar nga data 1 janar 2027, ofruesit e shërbimeve të pagesave nuk do të lejohen të aplikojnë një tarifë shkëmbimi (interchange fee) më të lartë se 0.2% të vlerës së transaksionit për kartat e debitit dhe 0.3% për kartat e kreditit.

Tarifa e shkëmbimit përfaqëson koston që banka e tregtarit i paguan bankës që ka emetuar kartën e blerësit sa herë kryhet një transaksion. Aktualisht, sipas burimeve nga sektori bankar, kjo tarifë vlerësohet mesatarisht pranë kufirit të 1.5%, në varësi të llojit të aktivitetit të biznesit.

Megjithatë, kjo nuk është kostoja e vetme që rëndon mbi tregtarët, pasi struktura totale e komisionit përfshin edhe tarifat e skemave globale si Visa apo Mastercard (scheme fees), si dhe marzhin e bankës së tregtarit (acquirer markup) që mbulon mirëmbajtjen e pajisjeve POS, procesimin teknik dhe rrezikun operacional.

Kur mblidhen të gjithë këta zëra së bashku, komisioni total që një biznes paguan sot për pagesat me kartë mund të kalojë nivelin e 3%, veçanërisht në rastet kur kartat janë të lëshuara jashtë vendit.

Me vendosjen e tavanit të ri për tarifat e shkëmbimit nga janari i vitit 2027, Banka e Shqipërisë parashikon që komisioni total për tregtarët të shkojë deri në 1%, ndërsa përfaqësuesit e sektorit bankar tregohen më të rezervuar, duke e parë kufirin e 1.5% si një prag më realist.

Për të garantuar transparencë të plotë ndaj bizneseve, rregullorja parashikon gjithashtu që ofruesit e shërbimeve të pagesave t’u dërgojnë tregtarëve pas çdo transaksioni të dhëna të detajuara, ku ndahen qartë shuma e transaksionit, tarifa e shërbimit të tregtarit dhe shuma e tarifës së shkëmbimit.

Megjithatë, ky detyrim specifik për detajimin e faturave do të hyjë në fuqi më 1 janar 2028, për t’u lënë bankave dhe skemave të pagesave kohën e nevojshme teknike për përshtatjen e sistemeve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit