Transmetuar më 17-11-2026, 07:34

Sipas skenarit të Institutit të Vjenës, Shqipërisë, së bashku me Kosovën dhe Serbinë, do t’i duhen mbi 100 vjet për të arritur mesataren europiane të pensioneve, ndërkohë që Mali i Zi mund ta arrijë këtë objektiv në 14 vjet, Maqedonia e Veriut në 23 dhe Bosnja e Hercegovina në 40 vjet

Pensioni mesatar neto në Shqipëri përfaqësoi vetëm 19% të fuqisë blerëse të pensionit mesatar në Bashkimin Europian gjatë vitit 2025, duke shënuar nivelin më të ulët në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare (wiiw), me pensionin mesatar neto në vendin tonë mund të bliheshin po aq mallra dhe shërbime sa me 260 euro në BE, llogaritur sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS) që eliminon dallimet e çmimeve mes vendeve.

Edhe pse Shqipëria e ngushtoi hendekun me BE-në me vetëm 1,3 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2024, ky ritëm është shumë i ngadaltë në raport me fqinjët, si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut që u afruan përkatësisht me 11,6 dhe 7,8 pikë.

Krahasimi rajonal tregon një hendek të thellë, ku vetëm Kosova qëndronte pranë Shqipërisë me 272 euro PPS ose 20% të mesatares europiane, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina arrinte në 42%, Serbia në 44% dhe Maqedonia e Veriut në 52%.

Kryesuesi i rajonit mbetet Mali i Zi me 803 PPS, ose 58% të mesatares së BE-së, çka do të thotë se një pensionist malazez blen afërsisht trefishin e mallrave dhe shërbimeve që mbulon një pension mesatar në Shqipëri.

Për këtë arsye, sipas skenarit të Institutit të Vjenës, Shqipërisë, së bashku me Kosovën dhe Serbinë, do t’i duhen mbi 100 vjet për të arritur mesataren europiane të pensioneve, ndërkohë që Mali i Zi mund ta arrijë këtë objektiv në 14 vjet, Maqedonia e Veriut në 23 dhe Bosnja e Hercegovina në 40 vjet.

Një nga faktorët kryesorë që shpjegon nivelin e ulët të përfitimeve në vend është pesha në rritje e pensioneve të pjesshme, të cilat vitin e kaluar përbënin 55,2% të pensioneve të pleqërisë, duke u rritur nga 52,1% që ishin një vit më parë, me rreth 354 mijë përfitues që merrnin mesatarisht 13,500 lekë në muaj.

Për ata që përfituan një pension të ri, periudha mesatare e sigurimit ishte vetëm 24,5 vjet, rreth 14 vjet më pak se periudha e plotë e kërkuar prej 38 vjetësh e 8 muajsh. Kjo situatë rëndohet nga puna e padeklaruar, e cila sipas INSTAT-it arriti në 21,8% të punësimit në biznese në vitin 2025, si dhe nga nën-deklarimi i pagave i evidentuar nga Banka Botërore, që zvogëlon bazën mbi të cilën llogaritet shtesa e pensionit.

Brenda vendit vijon të ruhet një diferencë e ndjeshme mes dy skemave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku pensioni mesatar mujor i pleqërisë ishte 20,123 lekë në qytet dhe 12,313 lekë në fshat, ndërsa pensionet e reja të zakonshme u lidhën me një mesatare prej rreth 16,500 lekësh në muaj, pasi indeksimi prej 2,5% në tetor 2025 i shtoi vetëm 500 lekë një pensioni prej 20 mijë lekësh.

Nga ana tjetër, presioni demografik dhe plakja e popullsisë po e vështirësojnë ndjeshëm skemën, pasi në vitin 2025 për çdo pensionist kishte mesatarisht vetëm 1,18 kontribuues dhe vetëm 46% e popullsisë në moshë pune paguan sigurime, duke e çuar subvencionin e shtetit për mbulimin e deficitit të skemës në 10,2 miliardë lekë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit