Transmetuar më 16-11-2026, 22:53

Uashington, 16 nëntor 2026 – Vetëm pak ditë pas rënies globale të sistemeve të Microsoft dhe bllokimit të fluturimeve, infrastruktura digjitale në Shtetet e Bashkuara është përballur sërish me ndërprerje të gjera, këtë herë në sektorin financiar. Bankat më të mëdha amerikane, përfshirë JPMorgan Chase, Bank of America, Wells Fargo dhe US Bank, kanë regjistruar probleme të shumta në shërbimet bankare online dhe procedurat e identifikimit të përdoruesve, duke ekspozuar sërish brishtësinë e sistemeve teknologjike.

Gjatë ditës së sotme, mijëra klientë raportuan vështirësi serioze për të aksesuar faqet zyrtare të internetit dhe aplikacionet mobile, si dhe vonesa në kryerjen e transfertave të parave. Më e prekura nga kjo situatë rezultoi JPMorgan Chase me mbi 4,600 raportime për defekte, e ndjekur nga Bank of America me mbi 2,000 ankesa. Shërbimi i klientit i Chase reagoi menjëherë, duke konfirmuar ndërprerjen dhe duke sqaruar se një defekt teknik po vononte disa transaksione, por siguroi se përdoruesit vazhdonin t’i kishin llogaritë dhe fondet e tyre plotësisht të sigurta ndërsa ekipet po punonin për zgjidhjen e problemit.

Sipas burimeve të informuara për Fox Business dhe hetimeve paraprake të vetë institucioneve financiare, bëhet fjalë për një gabim të brendshëm teknik dhe deri më tani përjashtohet mundësia e një sulmi të koordinuar kibernetik nga hakerat. Këtë e ka përforcuar edhe Rezerva Federale e SHBA-së, e cila njoftoi se sistemet e saj kryesore ndërbankare si Fedwire, FedACH dhe FedNow po funksionojnë pa asnjë anomali, çka konfirmon se problemi kufizohet vetëm te portalet e aksesit të klientëve dhe nuk cenon sigurinë e fondeve apo të dhënave të tyre personale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit