

Londër, 16 nëntor 2026 – 21-vjeçari shqiptar Arion Kurtaj, anëtar i një grupi të krimit kibernetik, është shpallur fajtor ditën e sotme në gjykatën e Londrës, pasi pranoi akuzat për një seri sulmesh kibernetike të profilit të lartë kundër korporatave gjigante ndërkombëtare, përfshirë Rockstar Games, BT/EE, Revolut dhe Uber.
Sipas njoftimit zyrtar të Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës Britanike (CPS), Kurtaj pranoi përgjegjësinë për vjedhjen dhe publikimin e 90 klipeve të papublikuara të videolojës së shumëpritur Grand Theft Auto VI, si dhe për kompromentimin e sistemeve të kompanive të tjera, duke shkaktuar dëme që vlerësohen në miliona dollarë. Seanca për dhënien e masës së dënimit ndaj tij është caktuar të mbahet në Gjykatën e Kurorës në Woolwich më 23 nëntor 2026.
“Arion Kurtaj përdori teknika të sofistikuara hakimi për të kryer një fushatë të vazhdueshme sulmesh kibernetike, duke shkaktuar ndërprerje serioze në bizneset e mëdha ndërkombëtare dhe duke vënë në rrezik informacionin e ndjeshëm. Vepra e tij penale ishte e llogaritur dhe, edhe pasi u akuzua për vepra të rënda penale, ai vazhdoi të shënjestronte organizatat, duke demonstruar një shpërfillje të vazhdueshme për dëmin që po shkaktonte dhe ligjin,” deklaroi Robert Hutchinson, Prokuror i Specializuar në CPS.
Sulmet nga dhoma e hotelit me një "Firestick" dhe mesazhi tallës në 999 nga burgu
Hetimi kompleks, i udhëhequr nga Policia e Qytetit të Londrës dhe Njësia e Çështjeve Komplekse e CPS në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese në SHBA, zbuloi kronologjinë e veprimtarisë së tij kriminale pavarësisht përdorimit të pseudonimeve të shumta në internet:
Sulmi ndaj BT/EE (gusht – nëntor 2021): Kurtaj depërtoi në serverat e kompanisë së telekomunikacionit, duke mundësuar ndërrime të paautorizuara të kartave SIM (SIM-swapping) të klientëve, çka u jepte hakerave qasje të drejtpërdrejtë në thirrjet, mesazhet dhe llogaritë bankare të viktimave.
Hakerimi i Revolut dhe Uber (shtator 2022): Pasi ishte akuzuar dhe vendosur për mbrojtje në një hotel, Kurtaj theu kushtet e lirimit. Duke përdorur vetëm një telefon celular, rrjetin Wi-Fi të televizorit të hotelit dhe një pajisje Amazon Firestick, ai hyri në sistemet e Revolut (duke ekspozuar të dhënat e mijëra klientëve) dhe sulmoi Uber, ku fshiu llogari të brendshme dhe dërgoi imazhe fyese te punonjësit, duke shkaktuar një dëm financiar prej mbi 2.8 milionë dollarësh.
Shantazhi ndaj Rockstar Games: Me pseudonimin TeaPotUberHacker, ai vodhi dhe publikoi online 90 video nga zhvillimi i Grand Theft Auto VI, duke kërcënuar më pas se do të nxirrte edhe kodin burimor të lojës.
Shkelja e fundit në burg (mars 2026): Ditën e sotme, 21-vjeçari pranoi gjithashtu akuzën për mbajtjen e paligjshme të një telefoni celular në qelinë e burgut në mars të këtij viti, pajisje nga e cila kishte dërguar një mesazh tallës në numrin e emergjencave 999.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






