Transmetuar më 16-11-2026, 21:46

Gjykata e Durrësit refuzon gjykimin e shkurtuar për Nikoll Radaçin, pas aksidentit tragjik ku humbën jetën dy fëmijë. Dy dokumente të rëndësishme të hetimit shpallen të papërdorshme, ndërsa një akuzë pushohet për shkak të amnistisë. Ja vendimi i plotë

Gjykata e Durrësit ka marrë këtë të hënë, më 16 nëntor, një vendim të rëndësishëm për çështjen e aksidentit tragjik të 3 majit 2026, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, pasi u përplasën nga një automjet teksa po luanin në trotuar.

Në seancën ndaj 57-vjeçarit Nikoll Radaçi, i pandehur për ngjarjen, gjykata ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar, duke vendosur që çështja të kalojë për gjykim të zakonshëm.

Radaçi do të përballet me akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, të parashikuar nga neni 290, paragrafi 4, i Kodit Penal, për aksidentin që u mori jetën dy të miturve.

Një tjetër vendim i rëndësishëm i gjykatës lidhet me provat e administruara gjatë hetimit. Trupa gjykuese ka deklaruar të papërdorshëm procesverbalin e marrjes së mostrës së gjakut të të pandehurit, të datës 3 maj 2026, si dhe aktin e ekspertimit toksikologjik-ligjor, të përpiluar më 13 maj 2026.

Këto dy dokumente nuk do të përdoren si prova në gjykimin e çështjes. Vendimi merr rëndësi edhe për shkak të pretendimeve lidhur me gjendjen e drejtuesit të automjetit në momentin e aksidentit.

Gjykata ka vendosur gjithashtu pushimin e hetimeve për akuzën e “Drejtimit të automjeteve në mënyrë të parregullt”, sipas nenit 291 të Kodit Penal, pasi kjo vepër penale është përfshirë në ligjin nr. 57/2026 për amnistinë.

Megjithatë, pushimi i kësaj akuze nuk e përfundon procesin penal ndaj Radaçit, i cili do të gjykohet për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me pasoja fatale.

Vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq nuk mund të ankimohet, ndërsa refuzimi i gjykimit të shkurtuar mund të kundërshtohet së bashku me vendimin përfundimtar ose jopërfundimtar të gjykatës kompetente.

Aksidenti i rëndë ndodhi mesditën e 3 majit, në lagjen nr. 15, në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Tre fëmijë po luanin me top në trotuar, kur automjeti i drejtuar nga Nikoll Radaçi doli nga kontrolli dhe i përplasi.

Si pasojë, E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç, humbën jetën, ndërsa një fëmijë tjetër, vetëm 8 vjeç, mbeti i plagosur rëndë.

Pas aksidentit, u raportua se drejtuesi i mjetit kishte qenë më parë objekt ankesash nga banorët e zonës dhe ishte gjobitur nga Policia Rrugore për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Ngjarja shkaktoi tronditje të madhe në Durrës, ndërsa tashmë pritet shqyrtimi në themel i çështjes për përcaktimin e përgjegjësisë penale të të pandehurit.

VENDIMI I GJYKATËS

1.Pranimin pjesërisht të kërkesave.

2.Dërgimin për gjykim pranë gjykatës kompetente (Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës) të procedimit penal Nr.847 datë regjistrimi 4.5.2026, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, të parashikuar nga neni 290, paragrafi 4 i Kodit Penal në ngarkim të të pandehurit: N. R., i datëlindjes xxxx

3.Refuzimin e kërkesës së të pandehurit N. R. për të proceduar me gjykim të shkurtuar.

4.Deklarimin e papërdorshëm të Procesverbalit “Për marrjen e mostrës së gjakut”, ndaj të pandehurit N. R., datë 3.5.2026.

5.Deklarimin e papërdorshëm të Aktit të Ekspertimit Toksikologjik-Ligjor, Nr. xxx, datë 13.5.2026, hartuar nga ekspertja Z. B.

6.Formimin e fashikullit të gjykimit, i cili do të përmbajë të gjitha aktet e hetimeve paraprake të ndodhura në dosjen penale me Nr. 2094 datë regjistrimi 13.10.2026, të përcaktuara sipas nenit 332/ë, pika 2 e K.Pr.Penale, me përjashtim të akteve të përcaktuara në pjesën arsyetuese të këtij vendimi, të cilat i kthehen prokurorit.

7.Vendimi për dërgimin, e çështjes në gjyq së bashku me fashikullin do të depozitohet në sekretarinë e Gjykatës të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës brenda 10 ditëve nga dita e shpalljes së këtij vendimi.

8.Pushimin e hetimeve, që i përket procedimit penal nr. 847, datë 4.5.2026, ndaj personit nën hetim N. R., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal, për shkak se kjo vepër penale, është amnistuar nga ligjvënësi sipas nenit 6 të Ligji Nr.57/2026 “Për dhënie amnistie.

9.Kundër vendimit për dërgimin e çështjes në gjyq nuk lejohet ankim, kundër vendimit për pushimin e hetimeve mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 15 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar të Gjykatës, ndërsa kundër vendimit për refuzimin e kërkesës për të proceduar me gjykim të shkurtuar lejohet ankim bashkë me vendimin përfundimtar dhe/ose jo përfundimtar të gjykatës kompetente.

U shpall në Durrës, sot më datë 16.11.2026

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit