Transmetuar më 16-11-2026, 19:57

Vlorë, 16 nëntor 2026 – Një aksident tragjik rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme, rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori” (aksi Fier–Vlorë), duke i marrë jetën një efektivi të Policisë së Shtetit. Viktima është identifikuar si Ermal Lula, oficer i Krimeve të Rënda pranë Drejtorisë Vendore të Policisë (DVP) Vlorë.

Sipas informacionit paraprak të policisë, automjeti tip “Toyota” që drejtohej nga oficeri Lula dyshohet se ka humbur kontrollin për shkak të kushteve të këqija atmosferike, duke u përplasur me një mjet të rëndë pune (skrep), i cili drejtohej nga shtetasi Thanas Poçaj, 63 vjeç.

Si pasojë e goditjes së fortë, oficeri Ermal Lula ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje. Ndërkohë, drejtuesi i skrepit, 63-vjeçari Thanas poçaj, është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet procedurale për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe shkaqet e sakta që çuan në këtë përplasje fatale.

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori”, në drejtimin Fier–Vlorë, automjeti tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. L., dyshohet se, për shkak të motit të keq dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit, është përplasur me një mjet tip skrep, me drejtues shtetasin Th. P., 63 vjeç.

Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit “Toyota”, shtetasi E. L., oficer policie në DVP Vlorë.

Ndërsa shtetasi Th. P. është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të aksidentit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit