Transmetuar më 16-11-2026, 16:36

Bruksel – Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, që po mbahet në Bruksel, nën temën “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”.

Forumi fokusohet në progresin e vendeve kandidate, Paketën e Zgjerimit të këtij viti dhe perspektivën e një Bashkimi Evropian më të zgjeruar, më të fortë dhe më rezistent.

Rama ishte pjesë e panelit me temë “Arritjet e zgjerimit: Reforma, Investime dhe Rritje”, së bashku me Kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajić, të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, Komisionerin Europian për Ekonominë dhe Produktivitetin, si dhe për Zbatimin dhe Thjeshtimin, Valdis Dombrovskis, dhe deputetin e Parlamentit Europian, Thijs Reuten. Paneli u moderua nga Suzanne Lynch, drejtuese e zyrës së Bloomberg në Bruksel.

I pyetur nëse shqiptarët kanë ende dëshirë të bëhen pjesë e BE, nisur nga protestat antiqeveritare, Rama tha se njerëzit kërkojnë më shumë dhe se "kanë plotësisht të drejtë legjitime të kërkojnë më shumë vëmendje dhe për të ngritur dhe pikëpyetje se ku janë njerëzit në këtë transformim".

Pjesë e bisedës ishte dhe plani për integrim gradual në BE, plan që Rama e mbështeti fort këto kohë duke e sugjeruar dhe në emër të Shqipërisë. Në forum ai u pyet se cila ishte qasja e tij e taninshme: "Jo. Jo vetëm që nuk e kundërshtoj, por kam luftuar për këtë gjë prej një kohe të gjatë dhe mendoj se Plani i Rritjes në vetvete është një instrument që e pasqyron këtë qasje nga ana e Komisionit dhe e Bashkimit Europian vetë, sepse hendeku ende vijon të jetë i madh dhe nevoja për të pasur më shumë sa u takon kapaciteteve për ta mbyllur këtë hendek është e jashtëzakonshme".

Megjithatë Rama u shpreh kundër planeve për anëtarë të asociuar, kur tha: "Përpjekjet për të bërë gjëra, si anëtar i asociuar për Ukrainën për shembull, nuk shkojnë askund", dhe shtoi: "E para sepse është një gënjeshtër. Së dyti, sepse nuk ka të bëjë me ndryshimin thelbësor të instrumentit të integrimit të Bashkimit Europian që është një proces i mbështetur në meritë, sepse nuk është në interes të vendeve tona vetë për ta ndryshuar një gjë të tillë".

Këtu Rama shprehu ankesë konkrete kur tha se "politika e Bashkimit Europian shpesh na zhgënjen, na rrëzon për shkak të dobësisë së saj apo për shkak të politikave të brendshme në një shtet anëtar, tjetrin apo tjetrin".

Ai foli dhe për atë që e cilësoi "kohën e poshtërimit" dhe vuri gishtin te Mark Rutte, kreu i NATO, kur tha: Tre vjet falë vendit të kolegut tim këtu. Jo, jo, vendi juaj, politika juaj, qeveria juaj Mark Rutte në qoftë se doni ta them kështu sepse nuk kishte një shumicë që do të qëndronte po të tregohej mirë me mua kështu që vendi juaj u tregua i keq me mua, por kështu që u bëmë miq shumë të mirë.

Rama bëri dhe një paralajmërim serioz për ndikimin rus, kur përdori metaforën e mëposhtme:

"Në qoftë se Ursula do t’u thoshte fëmijëve “duhet të rriteni aty jashtë në lagje para se t’ju pranojmë në shtëpi”, atëherë do të rrezikohej që fëmijët mos vinin në shtëpi, pastaj më. Largqoftë vajza mund të binte në dashuri me një gangster rus e kur je i ri duket shumë më tërheqës sesa Bashkimi Europian apo një tjetër vajzë mund të luante me lodra kineze deri në atë pikë, sa nuk do donte të kthej në shtëpi. Nuk është ide e mirë pra që ne të mbahemi jashtë."

Duke sjellë në vëmendje Shqipërinë, megjithatë ai tha ndoshta ironikisht se nuk ka asnjë rrezik: "Jo ne shqiptarët, – ne mund të rrimë jashtë sepse ne nuk jemi si askush tjetër këtu. Nuk kemi marrëdhënie me Rusinë. Jemi i vetmi vend pa ndonjë investim të rëndësishëm kinez. Nuk na merr malli. Pra jemi paksa të veçantë. Kështu që, mund të rrimë aty jashtë. Jemi plotësisht të dashuruar me Bashkimin Europian dhe do të rrimë aty edhe në qoftë se Bashkimi Europian do të zhduket. Do vazhdojmë të luftojmë për Bashkimin Europian ashtu siç kemi luftuar për perandoritë e tjera pasi ato kishin rënë. Pra nuk ka të bëjë me ne, ka të bëjë me të gjithë rajonin dhe si evropianë të gjithë duhet ta shohim në këtë lloj mënyre".

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit