

BEOGRAD – Një nga marrëveshjet më të debatueshme të qeverisë serbe, e cila parashikonte shndërrimin e ndërtesave të bombarduara nga NATO në Beograd në një kompleks luksoz me hotel, kazino dhe apartamente, ka marrë fund zyrtarisht.
Projekti i ishte besuar kompanisë së Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, por kishte nxitur valë protestash në Serbi, dyshime për favore politike, si dhe një proces penal ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Sipas një raportimi të gazetës serbe “Vreme”, Serbia dhe kompania Atlantic Incubation Partners LLC kanë rënë dakord të ndërpresin kontratën, duke hequr dorë nga çdo pretendim financiar ndaj njëra-tjetrës. Ky hap e shmang shtetin serb nga rreziku i një arbitrazhi ndërkombëtar dhe i penaliteteve që mund të arrinin deri në 50 milionë euro.
Marrëveshja fillestare ishte nënshkruar në maj të vitit 2024 nga ministri i atëhershëm i Ndërtimit, Goran Vesić. Dokumentet e zbuluara më vonë treguan se qeveria ishte angazhuar t’i hiqte kompleksit të ish-Shtabit të Përgjithshëm statusin e monumentit kulturor, ta shembte me shpenzimet e shtetit dhe t’ia jepte tokën investitorit amerikan pa pagesë për një periudhë 99-vjeçare.
Megjithatë, vendimet e mëvonshme për heqjen e mbrojtjes kulturore çuan në nisjen e hetimeve nga Prokuroria për Krimin e Organizuar, e cila ngriti akuza ndaj ministrit të Kulturës, Nikola Selaković, sekretares së ministrisë dhe drejtuesve të instituteve të mbrojtjes së monumenteve, për shkelje dhe falsifikim të dokumentacionit.
Edhe pse Ministria e Ndërtimit konfirmoi se vendimi për prishjen e marrëveshjes ishte miratuar që në gusht, çështja mbetet e ndjeshme, ndërsa procesi gjyqësor ndaj zyrtarëve që i hapën rrugën këtij projekti vijon të rëndojë mbi kabinetin qeveritar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






