

TIRANË – Pas paraqitjes së deputetes socialiste Sara Mile në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), drejtuesi i këtij institucioni është pyetur nga gazetarët nëse ajo është marrë zyrtarisht nën hetim lidhur me dyshimet për korrupsion në zgjedhje.
Klodian Braho është shprehur se çështja në fjalë ndodhet ende në fazën e hetimit, duke theksuar se për këtë arsye nuk mund të jepet një përgjigje përfundimtare në këtë momente.
Në vijim po thellohen hetimet rreth skemës së mundshme të zbuluar përmes kallëzimit të një drejtori për rekrutimin e votave në zonën e Gjocajve.
Gjatë një takimi informal, gazetarët drejtuan pyetje të drejtpërdrejta për këtë çështje, të cilave drejtuesi i SPAK iu përgjigj shkurtimisht:
Kur u pyet nëse Sara Mile është nën hetim ai nuk e mohoi kur u shpreh: "Është çështje nën hetim dhe s’mund të jap përgjigje për sa kohë nuk ka përfunduar".
Lidhur me dyshimet për llogari bankare jashtë vendit, të mbushura me para nga eksponentë të politikës dhe persona të lidhur me ta, prokurorja Dorina Bejko iu përgjigj pyetjes nëse janë bërë kërkime prej SPAK, kur tha:
"Kemi mbyllur hetimet dhe çfarë thamë deri tani do t’ia dorëzojmë gjykatës", duke iu referuar rastit të Belinda Ballukut.
I pyetur pse po zgjat kaq shumë hetimi për 21 Janarin, Braho tha se SPAK dërgon kërkesat për ndihmë juridike dhe në vazhdim mbetet në pritje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






