Transmetuar më 16-11-2026, 14:48

BRUKSEL – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër nga Brukseli lidhur me incidentin e ndodhur gjatë një eventi ku u interpretua një këngë me përmbajtje nacionaliste kundër Kosovës.

Gjatë fjalës së tij në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi këtë veprim si të papranueshëm dhe nënvizoi se një ngjarje e tillë nuk duhet të kalojë në heshtje.

Duke u ndalur te rëndësia e paqes dhe stabilitetit rajonal, Rama theksoi se incidente të këtilla nuk duhet të lejohen që të rikthejnë tensionet e së kaluarës në rajon.

"Më lejoni të them diçka para se t’i përgjigjem pyetjes suaj të drejtpërdrejtë, për një të keqe që u bë dje përmes muzikës, që nuk duhet të kthehet sot në një të keqe të pranuar përmes heshtjes. Nuk e di nëse ishte e qëllimtë apo rezultat i injorancës, apo fakti që një këngë pa shije nacionaliste u interpretua në prag të këtij forumi, nën titullin e bukur melodik të unitetit," u shpreh kryeministri.

Më tej, ai shtoi se ngjarje të tilla cënojnë ndjenjat e shqiptarëve dhe kërkojnë një reagim të prerë për të mos lejuar rikthimin e mentaliteteve të vjetra.

"Nuk është se lëndon vetëm ndjenjat e shqiptarëve, por ka të bëjë me nevojën që të mos lihet të kalojë në heshtje asgjë që na bën të kthehemi në të shkuarën. Unë kam qenë avokat prej shumë vitesh për sa e rëndësishme është për fqinjësinë tonë, për ta mbajtur Serbinë në anën tonë, në anën e Evropës, pra të mos shkojë në të kundër të kësaj bindjeje. Por, në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që të mos lëmë hapësirë për bërtemat mesjetare. Të gjithë ne duhet të angazhohemi për ta transformuar rajonin tonë në gjithçka për të cilën po flasim," deklaroi Rama.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit