Transmetuar më 16-11-2026, 14:30

Nga Tuneli i Llogarasë te Unaza e Madhe dhe Albcontrol, SPAK zbulon mekanizmin e dyshuar të favorizimit të kompanive dhe pasuritë që pretendohet se janë fshehur. Në dosje dalin emrat e ish-zyrtarëve, biznesmenëve dhe kompanive të përfshira

Tiranë – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme dosjen penale ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, 25 personave të tjerë fizikë dhe dy kompanive. Në qendër të hetimeve janë 10 procedura prokurimi publik, dyshimet për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, shpërdorim detyre, fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Vendimi i SPAK për dërgimin e procedimit penal nr. 136/2025 në gjykatë u bë i ditur të hënën, më 16 nëntor 2026. Dosja përfshin disa prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në Shqipëri, mes tyre Tunelin e Llogarasë, Unazën e Madhe të Tiranës, rrugën Porto Romano–Durrës dhe rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet kanë evidentuar një mekanizëm të dyshuar ndërhyrjesh në procedurat e prokurimit, me qëllim paracaktimin e fituesve dhe favorizimin e kompanive të caktuara. Në dosje përfshihen gjithashtu pretendime për përfitime të paligjshme të lidhura me dy vila luksoze në bregdetin shqiptar, me vlerë të përgjithshme tregu prej 1,83 milionë eurosh, të cilat janë sekuestruar.

Hetimi është drejtuar nga prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, ndërsa përfundimi i tij u konfirmua nga drejtuesi i SPAK, Klodian Braho.

Akuzat ndaj Belinda Ballukut

Sipas kërkesës për gjykim, ish-zëvendëskryeministrja akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë, në bashkëpunim, në nëntë raste; korrupsion pasiv gjatë ushtrimit të funksioneve publike dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

Ndaj saj janë ngritur gjithashtu akuza për mosdeklarim ose fshehje pasurie në dy raste, si dhe për pastrim të produkteve të veprës penale, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

Sipas SPAK, veprimet e dyshuara janë kryer gjatë periudhës kur Balluku drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, por edhe gjatë ushtrimit të detyrës së mëparshme si drejtoreshë e përgjithshme e Albcontrol.

Tuneli i Llogarasë, SPAK evidenton dëme miliardëshe në preventivat e punimeve

Një prej çështjeve kryesore të dosjes është tenderi për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, me fond limit 18,97 miliardë lekë pa TVSH.

Sipas SPAK, megjithëse Balluku i kishte deleguar formalisht kompetencat e titullarit të autoritetit kontraktor Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ajo dyshohet se ka ndjekur dhe orientuar vazhdimisht procedurën, nga përgatitja e dokumentacionit deri te shpallja e fituesit dhe lidhja e kontratës.

Prokuroria pretendon se ndërhyrjet kanë pasur si qëllim favorizimin e bashkimit të operatorëve turq Intekar Yapi dhe Asl Insaat, të shpallur fitues të tenderit.

Sipas hetuesve, Balluku ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Evis Berberin, në atë kohë këshilltar dhe më pas drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, si dhe me përfaqësues të kompanive fituese.

SPAK thotë se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave e kanë shpallur fitues bashkimin e operatorëve, megjithëse ai nuk plotësonte kriteret e dokumenteve të tenderit.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet me përllogaritjen e fondit limit. Sipas ekspertizës teknike të administruar nga Prokuroria, preventivi fillestar është miratuar me çmime të fryra dhe në kundërshtim me manualet teknike, duke shkaktuar një dëm ekonomik të përllogaritur në 2.006.535.459,99 lekë.

Në këtë episod, SPAK evidenton veprime të dyshuara të kundërligjshme nga ish-sekretarja e përgjithshme Viola Haxhiademi, ish-drejtori i ARRSH-së Ergys Verdho dhe Genti Raça.

Ndërkohë, për preventivin e rishikuar gjatë zbatimit të kontratës, Prokuroria pretendon se janë miratuar volume dhe çmime të fryra, pa verifikimet dhe analizat teknike të nevojshme.

Për këtë pjesë të projektit, dëmi ekonomik i përllogaritur nga SPAK arrin në 5.477.232.724,67 lekë. Në hetim për këtë episod përfshihen Viola Haxhiademi, Gentian Gjyli, Genti Raça, Adja Strazimiri, Anila Sulollari dhe Adrian Kroi.

Unaza e Madhe e Tiranës, dyshime për favorizimin e kompanive fituese

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme përfshijnë edhe disa procedura të rëndësishme të ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës dhe segmenteve lidhëse.

Sipas SPAK, Balluku, në bashkëpunim me Evis Berberin dhe Miranda Shkurtin, dyshohet se ka ndikuar në përcaktimin e fituesve të këtyre tenderëve.

• Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe Qendra e Monitorimit të Trafikut: Fondi limit ishte rreth 2,38 miliardë lekë. Sipas akuzës, procedura është orientuar për të favorizuar kompaninë Salillari. Hetuesit pretendojnë se janë vendosur kritere të paargumentuara dhe janë shkurtuar afatet e paraqitjes së ofertave.

• Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, Loti 2: Me fond limit rreth 2,49 miliardë lekë, procedura dyshohet se është orientuar në favor të bashkimit të operatorëve 4A-M & ED Konstruksion dhe IDK Konstruksion.

• Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri–Shkozë, urat mbi lumin Tirana: Fondi limit ishte rreth 2,56 miliardë lekë. SPAK pretendon se janë krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë Albstar.

• Unaza e Jashtme e Tiranës, Loti 4: Tenderi me fond limit rreth 2,10 miliardë lekë dyshohet se është zhvilluar duke favorizuar bashkimin e operatorëve Euroteorema Peqin, PE-VLA-KU dhe Nova Construction 2012.

• Unaza e Jashtme e Tiranës, Loti 5: Fondi limit ishte rreth 1,94 miliardë lekë. Sipas SPAK, procedura është orientuar në favor të bashkimit G.P.G Company dhe Senka, i cili pretendohet se është shpallur fitues pa plotësuar kriteret e dokumenteve standarde.

• Unaza e Jashtme e Tiranës, Loti 6: Tenderi me fond limit rreth 1,82 miliardë lekë dyshohet se është favorizuar për kompaninë Gjoka Konstruksion.

• Unaza e Jashtme e Tiranës, Loti 7: Fondi limit ishte rreth 2,35 miliardë lekë. Sipas Prokurorisë, procedura është orientuar për të favorizuar bashkimin e operatorëve Alko-Impex General Construction dhe 2T.

Në të gjitha këto procedura, hetuesit pretendojnë se janë përdorur mekanizma të ngjashëm, përfshirë kufizimin e afateve ligjore, vendosjen e kritereve të paargumentuara, pengimin e konkurrencës së operatorëve të huaj dhe kualifikimin e ofertave që nuk plotësonin kërkesat e tenderëve.

Porto Romano–Durrës, nën hetim edhe tenderi i Lotit 3

Një tjetër procedurë për të cilën SPAK ka ngritur akuza është ndërtimi i rrugës Porto Romano–Durrës, Loti 3, me fond limit rreth 1,50 miliardë lekë pa TVSH.

Sipas Prokurorisë, Belinda Balluku, Evis Berberi dhe Miranda Shkurti dyshohet se kanë ndikuar për paracaktimin dhe favorizimin e kompanisë Geci.

Hetimi pretendon se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Arlinda Gordani, Miranda Shkurti dhe Adja Strazimiri, e kanë shpallur fituese këtë kompani në kundërshtim me kriteret e dokumenteve standarde të tenderit.

Vila në Green Coast, dyshimet për përfitimin nga tenderi i Unazës

Një nga zbulimet më të rëndësishme të dosjes lidhet me një vilë në kompleksin turistik Green Coast, në Palasë të Himarës.

Sipas SPAK, Belinda Balluku dyshohet se ka qenë pronarja faktike e vilës familjare dykatëshe nr. 188/1, me sipërfaqe totale 478 metra katrorë, megjithëse dokumentacioni i pronësisë është krijuar në emër të Igli Tares.

Prokuroria pretendon se për këtë pasuri Igli Tare ka realizuar një investim prej 250 mijë eurosh, deri në fazën e karabinasë.

Më pas, sipas hetimit, investimet për përfundimin e vilës dhe ndërtimin e pishinës janë vijuar nga Arbër Abazi, administrator i kompanisë Alko-Impex General Construction.

Preventivi i këtyre punimeve varionte nga 288.616 deri në 410.526 euro, ndërsa punimet e realizuara janë përllogaritur në rreth 13,88 milionë lekë.

Sipas SPAK, këto investime përbëjnë një përfitim të parregullt të dyshuar për Ballukun, në këmbim të favorizimit të kompanisë së Abazit në tenderin për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës.

Prokuroria pretendon gjithashtu se Balluku nuk ka deklaruar përfitimet e lidhura me këtë pasuri në deklaratat periodike të pasurisë, duke përdorur dokumentacion fiktiv për të fshehur pronësinë e saj faktike.

Vila në Green Coast, sipas vlerësimit të paraqitur nga SPAK, ka një vlerë prej 1.110.000 eurosh.

Vila e dytë në Dhërmi, akuza për korrupsion në tenderin e Albcontrol

Një tjetër episod i dosjes lidhet me periudhën kur Belinda Balluku ushtronte detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të Albcontrol.

SPAK pretendon se në tenderin për rikonstruksionin e godinës teknologjike të këtij institucioni, me fond limit 88.651.633 lekë pa TVSH, janë krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë Eurocol.

Sipas hetuesve, Balluku, në bashkëpunim me anëtarë të strukturave të prokurimit dhe Evis Berberin, në atë kohë drejtues i sektorit të prokurimeve dhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, dyshohet se kanë ndikuar për favorizimin e kompanisë fituese.

SPAK pretendon se favorizimi ka vijuar edhe gjatë zbatimit të kontratës, duke i mundësuar kompanisë një parapagim prej 50% të vlerës së kontratës.

Në këmbim, sipas Prokurorisë, Balluku dyshohet se ka kërkuar dhe përfituar një vilë dykatëshe në kompleksin turistik White Rocks, në Gjilekë të Dhërmiut.

Bëhet fjalë për vilën tip Begonia, nr. F6, me sipërfaqe ndërtimore 103 metra katrorë, verandë 34 metra katrorë dhe parcelë në dispozicion prej të paktën 300 metrash katrorë.

Sipas dosjes, pasuria është përfituar përmes një kontrate porosie të dyshuar fiktive në emër të Igli Tares, me vlerë 145 mijë euro.

Prokuroria pretendon se për fshehjen e pronësisë faktike janë përdorur veprime dhe dokumente fiktive ku përfshihen Igli Tare, Pandeli Carapuli, i lidhur me kompaninë Eurocol, si dhe Joana Bushi, ish-vartëse e Ballukut.

Sipas SPAK, vila nuk është deklaruar nga ish-zyrtarja në deklaratat përkatëse të pasurisë. Vlera aktuale e tregut për këtë pronë është përllogaritur në 720 mijë euro.

SPAK sekuestron dy vila me vlerë 1,83 milionë euro

Në kuadër të procedimit penal, Prokuroria e Posaçme ka vendosur nën sekuestro dy pasuri të paluajtshme, të cilat i konsideron të lidhura me përfitime të dyshuara nga korrupsioni.

Pasuritë janë vila dykatëshe në Green Coast, Palasë, me vlerë 1.110.000 euro, dhe vila F6 në kompleksin White Rocks, Dhërmi, me vlerë 720.000 euro.

Vlera e përgjithshme e këtyre pasurive arrin në 1.830.000 euro.

Sipas SPAK, regjistrimi i pasurive në emra të personave të tjerë dhe krijimi i dokumentacionit të dyshuar fiktiv janë pjesë e veprimeve që qëndrojnë në themel të akuzave për fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Kush janë 25 personat e tjerë të marrë të pandehur

Përveç Belinda Ballukut, dosja përfshin edhe 25 persona fizikë, mes tyre ish-drejtues dhe punonjës të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetit Rrugor Shqiptar, si dhe persona të lidhur me transaksionet e pasurive të paluajtshme.

Në listën e të pandehurve janë:

Viola Haxhiademi, Evis Berberi, Ergys Verdho, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Genti Raça, Miranda Shkurti, Jetmira Dervishi, Mirzeta Kashnica, Jonida Çeçe, Klarita Konomi, Arbër Troka, Adja Strazimiri, Anila Sulollari, Adrian Kroi, Gëzim Noni, Nikollaq Mihali, Eduart Agalliu, Arlinda Gordani, Denis Xhoxhi, Dhurata Lazaj, Joana Bushi, Igli Tare, Pandeli Carapuli dhe Arbër Abazi.

Akuzat ndaj tyre ndryshojnë në varësi të rolit dhe veprimeve të dyshuara, duke përfshirë shkeljen e barazisë në tendera publikë, shpërdorimin e detyrës, korrupsionin aktiv, falsifikimin e dokumenteve dhe pastrimin e parave.

Të pandehura janë marrë edhe dy shoqëri tregtare: Alko Impex General Construction, degë e shoqërisë së huaj, për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, dhe Eurocol sh.p.k., për pastrim të produkteve të veprës penale.

Hetimet vazhdojnë, SPAK hap rrugën për fazën gjyqësore

Me përfundimin e hetimeve dhe dërgimin e kërkesës për gjykim, dosja ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe personave të tjerë kalon për shqyrtim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.

Ndërkohë, SPAK ka bërë të ditur se hetimet vijojnë në kuadër të procedimit të ndarë penal nr. 136/1 të vitit 2026, me synimin për të identifikuar fakte të tjera të mundshme penale.

SPAK dërgon në gjykatë procedimin penal nr. 136/2025 ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe 27 të pandehurve të tjerë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.136 të vitit 2025, në ngarkim të 26 të pandehurve dhe 2 personave juridik:

1. Belinda Balluku, ish Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ish Drejtoreshë e Përgjithshme e “Albcontrol” sh.a, e akuzuar për kryerjen e veprave penale:

-Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, (nëntë herë),

“Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, (sipas ligjit 144/2013), “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarimin, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”(dy herë), parashikuara nga nenet 258/2 e 25, 259, 260, 257/a, paragrafi 2, të Kodit Penal, si dhe për veprën penale,

“Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.

2. Viola Haxhiademi, ish Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 i Kodit Penal.

3. Evis Berberi, ish Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:

– “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga nenet 258/2 e 25 i Kodit Penal.

4. Ergys Verdho, ish Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

5. Gentian Gjyli, ish Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:

– “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim (dy herë) dhe “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 258/2 e 25, 248 e 25 të Kodit.Penal.

6. Erald Elezi, ish Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:

-“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim (tre herë), parashikuar nga nenet 258/2 e 25 i Kodit Penal.

7. Genti Raça, ish Përgjegjës i Sektorit të Preventivit në Autoritetin Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:

– “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (katër herë), “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 258/2 e 25, 248 e 25 të Kodit Penal.

8. Miranda Shkurti, ish Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, (tetë herë), parashikuar nga nenet 258/2 e 25, i Kodit Penal.

9. Jetmira Dervishi, ish Specialiste e Nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, e akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodi Penal.

10. Mirzeta Kashnica, ish Specialiste e Nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, e akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shkelja e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodi Penal.

11. Jonida Çeçe, ish Specialiste në Sektorin e Prokurimeve pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (tre herë), parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal.

12. Klarita Konomi, ish Përgjegjës i Sektorit të Hartimit të Projekteve të Brendshme në Autoritetin Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal.

13. Arbër Troka, ish Specialist në Autoritetin Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (dy herë) parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal.

14. Adja Strazimiri, ish Specialiste në Sektorin e Hartimit të Projekteve të Huaja, në Autoritetin Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 258/2 e 25, 248 e 25 të Kodit Penal.

15. Anila Sulollari, ish Specialiste në Autoritetin Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.

16. Adrian Kroi, ish Specialist në Sektorin e Hartimit të Projekteve, në Autoritetin Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, (tre herë) “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 258/2 e 25, 248 e 25 të Kodit Penal.

17. Gëzim Noni, ish Specialist në Sektorin e Hartimit të Projekteve, në Autoritetin Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, (tre herë) parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal.

18. Nikollaq Mihali, ish Specialist në Sektorin e Hartimit të Projekteve, në Autoritetin Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, (tre herë) parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal.

19. Eduart Agalliu, ish Specialist në Sektorin e Prokurimeve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal.

20. Arlinda Gordani, ish Specialiste në Autoritetin Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim (katër herë), parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal.

21. Denis Xhoxhi, ish Specialiste në Autoritetin Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale:

-“Shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (tre herë), parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal.

22. Dhurata Lazaj,. ish Specialiste në Autoritetin Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale:

-“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim (tre herë) parashikuar nga neni 258/2 e 25 të Kodit Penal.

23. Joana Bushi, e akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, i Kodit Penal.

24. Igli Tare, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.

25. Pandeli Carapuli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, i Kodit Penal.

26. Arbër Abazi, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:

-“Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuara nga nenet 245 dhe 190/2 të Kodit Penal.

27. Personi juridik “Alko Impex General Construction” Degë e shoqërisë së huaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:

– “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.

28. Personi juridik “Eurocol” sh.p.k, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:

-“Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287, paragrafi 1, gërma “b” të Kodit Penal.

Nga provat e administruara në kuadër të hetimit të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, kanë rezultuar fakte penale në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, gjatë ushtrimit të detyrës si zëvendëskryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe gjatë ushtrimit të detyrës së mëparshme si Drejtoreshë e Përgjithshme e Albcontrol sh.a. Fakte penale kanë rezultuar edhe në ngarkim të personave të tjerë përgjegjës në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe në Autoritetin Rrugor Shqiptar, për procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi.

Procedurat e Prokurorimit:

29. Procedura e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë”;

30. Procedura e prokurimit me objekt: “Plotësimi rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;

31. Procedura e prokurimit me objekt: “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;

32. Procedura e prokurimit me objekt: “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;

33. Procedura e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;

34. Procedura e prokurimit me objekt: “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;

35. Procedura e prokurimit me objekt: “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;

36. Procedura e prokurimit me objekt: “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”;

37. Procedura e prokurimit me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano Durres, Loti 3 (vazhdimi)”;

38. Procedura e prokurimit me objekt “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”.

I – Procedura – “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë);

Fondi limit – 18 967 810 952.08 lekë pa TVSH (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy pikë zero tetë).

Sipas hetimeve, e pandehura Belinda Balluku, në detyrën e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, megjithëse kishte deleguar formalisht përgjegjësitë e titullarit të autoritetit kontraktor te Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në mënyrë të vazhdueshme të gjithë procedurën e prokurimit. Kjo përfshin fazën përgatitore, zhvillimin e procedurës, dorëzimin dhe vlerësimin e ofertave, deri në lidhjen e kontratës. Qëllimi i këtyre veprimeve ka qenë paracaktimi dhe favorizimi i operatorit ekonomik fitues, bashkimi i operatorëve; “Intekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti dhe Asl Insaat Taahhut Ve San.San.Tic. Ltd. Sti. JV”.

Për të realizuar këtë qëllim, e pandehura Belinda Balluku ka mbajtur kontakte të rregullta me të pandehurin Evis Berberi, (fillimisht këshilltar i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, më pas, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar) lidhur me përcaktimin e kritereve të vendosura në dokumentacionin standard të tenderit. Ajo, gjithashtu, ka mbajtur kontakte të rregullta me përfaqësues të shoqërisë fituese, bashkimi i operatorëve; “Intekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti dhe Asl Insaat Taahhut Ve San.San.Tic. Ltd. Sti. JV”, gjatë kohës kur kjo e fundit përgatiste dokumentacionin e pjesëmarrjes në procedurën e prokurimit. Kontaktet me të pandehurin Evis Berberi kanë vijuar edhe gjatë fazës së dorëzimit, vlerësimit të ofertave dhe vendimmarrjes së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për shpalljen e operatorit ekonomik fitues, deri në momentin kur është lidhur kontrata.

Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica kanë shpallur fituesin e kësaj procedure prokurimi, bashkimin e operatorëve ekonomikë, “Intekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti dhe Asl Insaat Taahhut Ve San.San.Tic. Ltd. Sti. JV”, pa plotësuar kriteret e vendosura në dokumentet standarde të tenderit.

Në lidhje me përcaktimin e fondit limit, e pandehura Viola Haxhiademi në bashkëpunim me të pandehurin Ergys Verdho dhe të pandehurin Genti Raça, si persona përgjegjës për shkak të funksionit të tyre, miratuan preventivin në kundërshtim me ligjin, me çmime të fryra, në kundërshtim me manualet teknike të miratuara përmes VKM nr.629, datë 15.7.2015 “Për miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe analizave teknike të tyre”, i ndryshuar.

Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga akti i ekspertimit teknik-ndërtimi kryer gjatë hetimeve paraprake, ka rezultuar se fondi limit është përllogaritur në kundërshtim me ligjin, duke i shkaktuar një dëm ekonomik shtetit, në vlerën 2 006 535 459.99 (dy miliard e gjashtë milion e pesëqind e tridhjetë e pesë mijë e katërqind e pesëdhjetë e nëntë milion pikë nëntëdhjetë e e nëntë) lekë.

Në lidhje me procedurën për miratimin e projektpreventivit të rishikuar gjatë zbatimit të kontratës me objekt: “Për ndërtimin e tunelit të Llogarasë”, kanë rezultuar veprime të kundraligjshme të personave përgjegjës të autoritetit kontraktor; Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si edhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, institucion në varësi të saj.

Në lidhje me procedurën e miratimit të preventivit të rishikuar, rezulton se e pandehura Viola Haxhiademi, në bashkëpunim me të pandehurit Gentian Gjylin, Genti Raçën, Adja Strazimirin, Anila Sulollarin dhe Adrian Kroin, kanë miratuar në kundërshtim me ligjin preventivin e rishikuar gjatë zbatimit të kontratës me objekt: “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”. Miratimi i preventivit të rishikuar është bërë në kundërshtim me ligjin, me volume dhe çmime të fryra, pa iu nënshtruar shqyrtimit teknik të sektorëve përkatës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, pa kryerjen e verifikimeve të duhura për të argumentuar volumet dhe çmimet, pa pasur një analizë teknike për këtë preventiv.

Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga akti i ekspertimit teknik-ndërtimi, kryer gjatë hetimeve paraprake, ka rezultuar se preventivi i rishikuar është miratuar në kundërshtim me ligjin, duke i shkaktuar një dëm ekonomik shtetit, në vlerën 5 477 232 724.67 (pesë miliardë e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë milionë e dyqind e tridhjetë e dy mijë e shtatëqind e njëzet e katër pikë gjashtëdhjetë e shtatë) lekë.

II. Procedura – “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;

Fondi limit – 2.375.552.033,75 lekë pa TVSH (dy miliardë e treqind e shtatëdhjetë e pesë milionë e pesëqind e dy mijë e tridhjetë e tre pikë shtatëdhjetë e pesë).

Sipas hetimeve, e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me të pandehurin Evis Berberi, (Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar), si dhe të pandehurën Miranda Shkurti, (Përgjegjëse e Sektorit të Prokurimeve pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar), ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e prokurimit, me qëllim paracaktimin dhe favorizimin e shoqërisë “Salillari” sh.p.k.

Të pandehurit, Gentian Gjyli, Genti Raça, Erald Elezi, personat përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar,të cilët kanë vepruar në fazën përgatitore të kësaj procedure prokurimi, për përllogaritjen e vlerës së preventivit, relacionin teknik, përcaktimin e fondit limit, për Qendrën e Monitorimit të Trafikut (QMT), kanë kryer veprime të kundraligjshme, me qëllim favorizimin e shoqërisë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqërinë “Salillari” sh.p.k.

Anëtarët e Njësisë së Prokurimit, të pandehurit Jonida Çeçe, Adrian Kroi dhe Denis Xhoxhi kanë shkurtuar afatin ligjor të paraqitjes së ofertave dhe kanë vendosur kritere të paargumentuara, duke kufizuar konkurrencën dhe pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të huaj dhe duke paracaktuar dhe favorizuar shoqërinë, “Salillari” sh.p.k.

III- Procedura – “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;

Fondi limit – 2 485 599 781.248 lekë pa TVSH (dy miliardë e katërqind e tetëdhjetë e pesë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e një pikë dyqind e dyzet e tetë).

Me të njëjtën mënyrë veprimi, hetimi ka dokumentuar se e pandehura Belinda Balluku në bashkëpunim me të pandehurit Evis Berberi dhe Miranda Shkurti, kanë orientuar dhe ndikuar në paracaktimin dhe favorizimin e operatorit ekonomik fitues të kësaj procedure prokurimi, BOE “4A-M & ED Konstruksion sh.p.k. dhe IDK Konstruksion sh.p.k.”.

Anëtarët e Njësisë së Prokurimit të pandehurit, Eduart Agalliu, Arbër Troka dhe Genti Raça kanë shkurtuar afatin ligjor të paraqitjes së ofertave dhe kanë vendosur kritere të paargumentuara, duke kufizuar konkurrencën dhe pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të huaj dhe favorizuar operatorin e mësipërm.

IV-Procedura, “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri-Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;

Fondi limit – 2 559 318 901.29 lekë pa TVSH (dy miliardë e pesëqind e pesëdhjetë e nëntë milionë e treqind e tetëmbëdhjetë mijë e nëntëqind e një pikë njëzet e nëntë).

Me të njëjtën mënyrë veprimi, hetimi ka dokumentuar se e pandehura Belinda Balluku në bashkëpunim me të pandehurit Evis Berberi dhe Miranda Shkurti, kanë orientuar dhe ndikuar në paracaktimin dhe favorizimin e operatorit ekonomik fitues të kësaj procedure prokurimi, “Albstar” sh.p.k.

Anëtarët e Njësisë së Prokurimit, të pandehurit, Jonida Çeçe, Adrian Kroi dhe Denis Xhoxhi kanë shkurtuar afatin ligjor të paraqitjes së ofertave dhe kanë vendosur kritere të paargumentuara duke kufizuar konkurrencën dhe pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të huaj dhe favorizuar operatorin e mësipërm.

V- Procedura – “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”,

Fondi limit – 2 096 958 794.70 lekë pa TVSH (dy miliardë e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e katër pikë shtatëdhjetë).

Me të njëjtën mënyrë veprimi, hetimi ka dokumentuar se e pandehura Belinda Balluku në bashkëpunim me të pandehurit Evis Berberi dhe Miranda Shkurti, kanë orientuar dhe ndikuar në paracaktimin dhe favorizimin e operatorit ekonomik fitues të kësaj procedure prokurimi, BOE “Euroteorema Peqin” sh.p. k & “PE-VLA-KU” sh.p. k & “Nova Construction 2012” sh.p.k.

Anëtarët e Njësisë së Prokurimit, të pandehurit, Jonida Çeçe, Adrian Kroi dhe Denis Xhoxhi, kanë shkurtuar afatin e paraqitjes së ofertave dhe kanë vendosur kritere të paargumentuara, duke kufizuar konkurrencën dhe pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të huaj dhe favorizuar operatorin e mësipërm.

Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit Erald Elezi, Klarita Konomi dhe Miranda Shkurti, e kanë kualifikuar këtë operator në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit.

VI- Procedura – “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;

Fond limit – 1 939 309 894.55 lekë pa TVSH (një miliardë e nëntëqind e tridhjetë e nëntë milionë e treqind e nëntë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e katër pikë pesëdhjetë e pesë).

Me të njëjtën mënyrë veprimi, hetimi ka dokumentuar se e pandehura Belinda Balluku në bashkëpunim me të pandehurit Evis Berberi dhe Miranda Shkurti, kanë orientuar dhe ndikuar në paracaktimin dhe favorizimin e operatorit ekonomik fitues të kësaj procedure prokurimi, bashkimin e operatorëve ekonomikë, “G.P.G Company sh.p.k, & Senka sh.p.k”.

Të pandehurit Miranda Shkurti, Dhurata Lazaj dhe Nikollaq Mihali, nën cilësinë e anëtarëve të Njësisë së Prokurimit, kanë shkurtuar afatin e paraqitjes së ofertave dhe kanë vendosur kritere të paargumentuara, duke kufizuar konkurrencën dhe pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të huaj dhe favorizuar operatorin e mësipërm.

Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit, Gëzim Noni, Genti Raça dhe Arlinda Gordani, e kanë shpallur fitues këtë bashkim në kundërshtim me kriteret e dokumenteve standarde të tenderit.

VII- Procedura – “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”; Fondi limit – 1 816 355 589.63 lekë pa TVSH (një miliard e tetëqind e gjashtëmbëdhjetë milion e treqind e pesëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e nëntë pikë gjashtëdhjetë e tre).

Me të njëjtën mënyrë veprimi, hetimi ka dokumentuar se e pandehura Belinda Balluku në bashkëpunim me të pandehurit Evis Berberi dhe Miranda Shkurti, kanë orientuar dhe ndikuar në paracaktimin dhe favorizimin e operatorit ekonomik fitues të kësaj procedure prokurimi, shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.a.

Anëtarët e Njësisë së Prokurimit, të pandehurit, Miranda Shkurti, Dhurata Lazaj dhe Nikollaq Mihali, kanë shkurtuar afatin ligjor për paraqitjen e ofertave dhe kanë kufizuar konkurrencën dhe pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të huaj.

Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit, Genti Raça, Arlinda Gordani dhe Gëzim Noni, e kanë shpallur fituese, këtë shoqëri në kundërshtim me kriteret e dokumenteve standarde të tenderit.

VIII- Procedura “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”; Fondi limit – 2 353 597 373.94 lekë pa TVSH (dy miliardë e treqind e pesëdhjetë e tre milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tre pikë nëntëdhjetë e katër).

Me të njëjtën mënyrë veprimi, hetimi ka dokumentuar se e pandehura Belinda Balluku në bashkëpunim me të pandehurit Evis Berberi dhe Miranda Shkurti, kanë orientuar dhe ndikuar në paracaktimin dhe favorizimin e operatorit ekonomik fitues të kësaj procedure prokurimi, bashkimin e operatorëve ekonomikë “Alko-Impex General Construcion” Degë e shoqërisë së huaj dhe “2T” sh.p.k.

Anëtarët e Njësisë së Prokurimit, të pandehurit, Miranda Shkurti, Dhurata Lazaj dhe Nikollaq Mihali, kanë shkurtuar afatin ligjor për paraqitjen e ofertave dhe kanë kufizuar konkurrencën dhe pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të huaj.

Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit, Arbër Troka, Arlinda Gordani dhe Gëzim Noni, e kanë shpallur fitues këtë bashkim operatorësh në kundërshtim me kriteret e tenderit.

Administratori i shoqërisë “Alko-Impex General Construction”, Degë e shoqërisë së huaj, i pandehuri Arbër Abazi, ka paraqitur dokumentacion të rremë për plotësimin e kritereve të dokumenteve standarde të tenderit.

Hetimi ka zbuluar se e pandehura Belinda Balluku ka në pronësi faktike, pasurinë e paluajtshme “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, me sipërfaqe totale 478 m2, me vendndodhje “Green Coast”, Palasë, Himarë.

Kjo pasuri është krijuar kundrejt investimit të bërë nga i pandehuri Igli Tare në shumën 250,000 Euro, investim i realizuar deri në fazën e ndërtimit të karabinasë. Më pas ky investim ka vazhduar nga i pandehuri Arbër Abazi, për punimet e tjera të vilës dhe pishinës së saj, me preventiv të punimeve që varion nga 288,616 Euro deri në 410,526 Euro, me punime të realizuara në shumën 13 875 415.64 lekë.

Në lidhje me vlerën e përfituar nga i pandehuri Igli Tare, në shumën 250,000 Euro, që konsiston në pagesa në vlera monetare për likuidimin e vilës, të bëra në periudhën kohore dhjetor 2020 deri në gusht të vitit 2025, e pandehura Belinda Balluku, për shkak të detyrës së saj, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ka pasur detyrimin ligjor për deklarimin e këtyre përfitimeve në deklaratat periodike vjetore të plotësuara prej saj, në vitet 2021 e në vijim (që përkon me kohën e krijmit të dokumentacionit për këtë pasuri,kontrata e porosisë dhe kontrata e shitblerjes).

Këtë deklarim e pandehura Belinda Balluku nuk e ka bërë, me qëllim fshehjen e pasurisë së paluajtshme, përmes krijimit të dokumentacionit fiktiv të pronësisë së kësaj pasurie në emër të të pandehurit Igli Tare.

Në lidhje me përfitimin e parregullt të kërkuar dhe marrë nga i pandehuri Arbër Abazi, për punimet e tjera të ndërtimit të vilës dhe pishinës së saj, rezulton se këtë përfitim të parregullt e pandehura Belinda Balluku ka kërkuar dhe marrë në këmbim të favorizimit të shoqërisë së të pandehurit Arbër Abazi, “Alko Impex General Construction”, Degë e shoqërisë së huaj, pjesë përbërëse e bashkimit të operatorëve ekonomikë, të shpallur fitues në procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”. Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku akoma nuk kishte përfunduar ndërtimi i vilës në fazën e karabinasë. Ky përfitim i parregullt rezulton të jetë marrë nga e pandehura Belinda Balluku në formën e investimit të bërë nga i pandehuri Arbër Abazi për përfundimin e ndërtimit të vilës, në periudhën kohore gjatë vitit 2022-2023.

Për të fshehur këtë pasuri të krijuar si produkt i veprës penale të korrupsionit, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur të pandehurin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive të mëtejshme në lidhje me krijimin e dokumentacionit të pronësisë, për regjistrimin e kësaj prone në emër të të pandehurit Igli Tare.

IX- Procedura – “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”;

Fondi limit – 1,497,217,685.82 lekë pa TVSH (një miliardë e katërqind e nëntëdhjetë e shtatë milionë e dyqind e shtatëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e pesë pikë tetëdhjetë e dy).

Me të njëjtën mënyrë veprimi, hetimi ka dokumentuar se e pandehura Belinda Balluku në bashkëpunim me të pandehurit Evis Berberi dhe Miranda Shkurti, kanë orientuar dhe ndikuar në paracaktimin dhe favorizimin e operatorit ekonomik fitues të kësaj procedure prokurimi,“Geci” sh.p.k.

Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit, Arlinda Gordani, Miranda Shkurti dhe Adja Strazimiri, e kanë shpallur fitues këtë operator në kundërshtim me kriteret e dokumenteve standarde të tenderit.

X – Procedura “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”; Fondi limit 88,651,633 lekë pa TVSH (tëtëdhjetë e tetë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tre), zhvilluar Albcontrol sh.a.

E pandehura Belinda Balluku, nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Albcontrol sh.a, në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit, si dhe të pandehurin Evis Berberi, nën cilësinë e kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, njëkohësisht shef i Sektorit të Prokurimeve në Albcontrol,sh.a, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe e privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k. Veprimet e kundraligjshme të tyre konsistojnë që në fazën e përgatitjes së projektit, gjatë zhvillimit të procedurës për përcaktimin e kritereve në dokumentet standarde të tenderit. Favorizimi i shoqërisë fituese “Eurocol” sh.p.k, ka vazhduar gjatë zbatimit të kontratës, duke i siguruar parapagim në vlerën 50 përqind të kontratës, që në momentin e lidhjes së kontratës.

E pandehura Belinda Balluku, për shkak të funksionit publik të saj, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Albcontrol sh.a, ka kërkuar dhe marrë vlerën e përfitimit të parregullt, që konsiston pasuria e paluajtshme me të dhënat: Vila individuale dy katëshe tip Begonia me Nr.F6, me të dhënat teknike: Parcela e rrethuar në dispozicion të vilës me sipërfaqe jo më pak se 300 m2, me sipërfaqe ndërtimore prej 103m2 dhe verandën 34 m2, e ndodhur në resortin turistik “White Rocks”, Gjileke Dhërmi, Bashkia Himarë.

Përfitimi i parregullt është siguruar nga e pandehura Belinda Balluku sipas kontratës fiktive të porosisë, në emër të të pandehurit Igli Tare, në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) Euro, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k, në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”.

Përfitimi i parregullt është kërkuar nga e pandehura Belinda Balluku në kohën e zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, kur shoqëria “Eurocol”sh.p.k, kishte aplikuar për leje zhvillimore për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë. Përfitimi i parregullt është marrë në kohën e krijimit të kontratës së porosisë në emër të të pandehurit Igli Tare.

Në lidhje me këtë pasuri të paluajtshme, e pandehura Belinda Balluku, për shkak të detyrës së saj, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ka pasur detyrimin ligjor për deklarimin e kësaj pasurie, në deklaratat periodike vjetore të plotësuara prej saj, në vitin 2019 e në vijim.

Këtë deklarim nuk e ka bërë e pandehura Belinda Balluku, me qëllim fshehjen e pasurisë së paluajtshme, nëpërmjet krijimit të dokumentacionit fiktiv të kontratës së porosisë në emër të të pandehurit Igli Tare.

Për të fshehur këtë pasuri, si produkt i veprës penale të korrupsionit, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur të pandehurit Igli Tare dhe Pandeli Carapuli, duke kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë mes pandehurit Igli Tare dhe shoqërisë së të pandehurit Pandeli Carapuli, “Eurocol” sh.p.k, si dhe duke përdorur vartësen e saj, të pandehurën Joana Bushi, për lidhjen e kontratës fiktive të qirasë (kontratë dore) mes të pandehurës Joana Bushi dhe të pandehurit Igli Tare.

Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara arrin në 1 830 000 euro (një milion e tetëqind e tridhjetë mijë euro), e përbërë nga:

Vila dykatëshe tip “Vila 188/1”, në kompleksin turistik “Green Coast”, Palasë, me vlerë 1 110 000 euro (një milion e njëqind e dhjetë mijë euro).

Vila F6, në Dhërmi, me vlerë aktuale tregu 720 000 euro (shtatëqind e njëzet mijë euro).

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vazhdon hetimet në kuadër të procedimit të ndarë, nr.136/1 të vitit 2026, për gjetjen e fakteve të tjera penale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit