

Tragjedi në Prizren, 26-vjeçarja ndërron jetë pasi i përkeqësohet gjendja gjatë intervistimit nga hetuesit e antidrogës
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Prizren, ku një 26-vjeçare ka humbur jetën pasi gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë intervistimit nga zyrtarët e njësisë së antidrogës.
Viktima është Blerta Hyseni, 26 vjeçe, e cila ndërroi jetë në orët e para të së hënës, më 16 nëntor.
E reja po intervistohej nga zyrtarët e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, kur papritur ka shfaqur probleme shëndetësore. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj, është kërkuar ndërhyrja e ekipit të urgjencës.
Personeli mjekësor i ka ofruar ndihmën e parë në vendngjarje, ndërsa më pas 26-vjeçarja është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Prizrenit për trajtim të mëtejshëm.
Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, pak minuta pas mbërritjes në spital është konfirmuar vdekja e saj. Autoritetet janë njoftuar për rastin rreth orës 01:30.
Pas ngjarjes, në vendin e incidentit janë angazhuar njësitë policore të hetimeve dhe kriminalistikës, të cilat kanë ndërmarrë veprimet e para për dokumentimin e rrethanave.
Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë i Blerta Hysenit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohet obduksionit për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Deri më tani, shkaku i vdekjes së 26-vjeçares mbetet i panjohur, ndërsa autoritetet e kanë regjistruar rastin si “Hetim i vdekjes”.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat në të cilat e reja humbi jetën.
E reja ishte ndaluar së bashku me Adnan Podvoricën, të lindur në vitin 1978, pasi policia kishte kontrolluar një veturë BMW X6 të kuqe, me të cilën ata kishin hyrë nga Shqipëria në Kosovë. Gjatë kontrollit, hetuesit sekuestruan 105.7 gramë substancë të dyshuar kokainë, dy fishekë, dy telefona dhe automjetin.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






