

BERAT — Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka shpallur moskompetencën lëndore dhe i ka kaluar Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) dosjen hetimore lidhur me përplasjet për formulën e përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve dhe bllokimin e pagave të punonjësve të gjykatës.
Hetimet mbi procedimin penal nr. 440 të vitit 2026 nisën pas kallëzimit të kryer nga shtetasja N. Xh., specialiste e protokollit pranë Gjykatës së Beratit, e cila denoncoi pamundësinë e tërheqjes së pagës së saj për shkak të kontradiktave lidhur me ndryshimet në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Ajo kallëzoi drejtuesen e Degës së Thesarit në Berat, A. R., me pretendimin se i kishte shkaktuar dëm ekonomik dhe financiar.
Gjatë veprimeve hetimore dhe pyetjes së personave në dijeni, punonjës të Gjykatës së Beratit konfirmuan problematikat e krijuara me kalimin e pagave për muajin gusht 2026. Shefja e sektorit të buxhetit dhe menaxhimit financiar pranë gjykatës, M. Sh., deklaroi se përllogaritja e pagave u krye bazuar në vendimin nr. 435, datë 26.08.2026 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në zbatim të vendimit nr. 15/2026 dhe vendimit nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese, por listëpagesa nuk u miratua nga Dega e Thesarit.
Sipas dëshmive, drejtuesja e Thesarit kërkoi me email zyrtar që pagat e muajit gusht të dërgoheshin me nivelin e muajit korrik 2026 ose të ndaheshin urdhër-shpenzimet veç për gjyqtarët dhe veç për administratën. Megjithatë, kjo nuk u realizua pasi ndarja e listëpagesave bie ndesh me udhëzimin nr. 1, datë 21.01.2025, i cili përcakton se listëpagesa mujore është një dhe e vetme.
Në përfundim të verifikimeve, organi i akuzës në Berat konstatoi se për të njëjtin fakt penal ka nisur një procedim edhe nga Prokuroria e Posaçme, e cila po heton një rreth më të gjerë subjektesh, duke vendosur kështu kalimin e dosjes në kompetencë të SPAK-ut.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






