

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë një prononcim për mediat pas paraqitjes në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje”. I pyetur për mungesën e tij në protestën e fundit, Berisha u shpreh se bëhej fjalë për një tubim qytetar dhe se prania e tij do të mund të interpretohej si përpjekje për ta politizuar atë.
“Janë dy lloje protestash: ato popullore, në të cilat demokratët janë të parët që marrin pjesë, dhe protestat partiake. Dalja ime do të ishte një akt politizimi për një protestë qytetare”, deklaroi kreu i PD-së.
Gjatë deklaratës për mediat, Berisha u pyet gjithashtu nëse ka një ftesë publike për bashkim drejt figura të tilla si Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali, pas zhvillimeve të fundit dhe përplasjeve në Asamblenë e Partisë Socialiste.
Lideri i opozitës shmangu përmendjen e drejtpërdrejtë të emrave të tyre, por përsëriti thirrjen për bashkim të të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë që synojnë largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
“Të gjithë faktorët që e konsiderojnë Ramën të keqen më të madhe në historinë pluraliste të Shqipërisë, duhet të bashkohen ta përcjellin një minutë e më parë”, përfundoi Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






