Transmetuar më 16-11-2026, 12:29

TIRANË — Ish-deputeti socialist Petro Koçi ka reaguar mbi zhvillimet e fundit në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke vlerësuar emërimin e drejtuesve të rinj për kryeqytetin, por duke kritikuar ashpër propozimet për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga forumet drejtuese të partisë.

Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, Koçi e cilësoi caktimin e Ervin Demos dhe Albana Koçiut në drejtimin e PS-së për Tiranën si lajmin më të mirë të takimit. Ai u shpreh se, ndonëse do të preferonte që ky akt të kurorëzohej përmes një procesi zgjedhor, ata përfaqësojnë zgjedhjen e duhur dhe, bashkë me Erion Braçen, përbëjnë kapitalin njerëzor nga ku do të dalë kandidatura përfundimtare për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore.

Nga ana tjetër, ish-deputeti socialist e konsideroi propozimin për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga forumet e PSSH-së si të tepërt, dëmprurës dhe të pavlefshëm juridikisht brenda partisë, duke theksuar nevojën për respektimin e Statutit.

"Lajmi më i keq ishte propozimi e pastaj pretendimi se Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca qenkan përjashtuar nga forumet e PSSH-së. Qasja disiplinore kërkon argumentim të plotë dhe të bazuar në Statutin e partisë. Parti e vërtetë është ajo në të cilën Statuti është më i fortë se kryetari apo sekretari i përgjithshëm. Përndryshe, koncepti institucional i partisë shkërmoqet", deklaroi Koçi.

Duke u ndalur te rasti i Elisa Spiropalit, ai pranoi se disa qëndrime të saj të fundit mund të jenë konsideruar problematike nga një pjesë e opinionit socialist, por shtoi se PS-së i duhet një unitet i bazuar te besimi dhe bindja politike, e jo te frika. Po ashtu, ai e quajti të pakuptimtë rastin e Plarent Ndrecës, duke kujtuar kontributin e tij në krye të Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi.

Koçi argumentoi se nëse një propozim për përjashtim nuk votohet institucionalisht, ai mbetet nul, ndërsa kujtoi se sipas Statutit, çdo deputet që është pjesë e Grupit Parlamentar Socialist është automatikisht anëtar i Asamblesë Kombëtare.

"Përjashtimi nga forumet me rastin e së shtunës është një pretendim nul. Nëse propozimi nuk është votuar institucionalisht, ai nuk validohet dot. Statuti është shumë i qartë në kësi rastesh. Në bazë të Statutit, deputeti është ex officio anëtar i Asamblesë Kombëtare. Statuti nuk ka përcaktim ndryshe. Nëse Elisa është anëtare e Grupit Socialist, ajo automatikisht është në Asamble. Nuk besoj se do të çmendej partia e ta përjashtonte nga grupi", shkroi ai.

Në analizën e tij, Petro Koçi kërkoi gjithashtu standarde të qarta në luftën kundër korrupsionit, duke propozuar largimin e përkohshëm të çdo zyrtari ndaj të cilit nis një proces penal, si dhe u bëri thirrje anëtarëve socialistë të shmangin përçarjet në rrjetet sociale në prag të zgjedhjeve, duke i cilësuar kritikat konstruktive si të nevojshme për shëndetin politik të partisë.

Së fundmi, ish-deputeti komentoi edhe protestat e opozitës, duke u shprehur se ato nisën me një frymë qytetare në qershor, por u komprometuan nga aktet e dhunës dhe plaçkitjet e mëvonshme, si dhe nga mungesa e vizionit të lidershipit berishian. Ndonëse vlerësoi se protestat detyruan qeverinë të ndërmerrte disa masa ekonomike, si ulja e TVSH-së për ushqimet dhe heqja e taksës së qarkullimit nga karburanti, Koçi theksoi se pushteti ndërrohet vetëm me votë dhe se këto hapa duhen shoqëruar me rritjen e pagave për pedagogët dhe investime në ambiente sportive për të rinjtë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit