

KALABRI — Rajoni i Kalabrisë në jug të Italisë ka ndërmarrë një nismë të re për të luftuar shpopullimin, duke ofruar 50 banesa falas për qytetarët që pranojnë të zhvendosen dhe të jetojnë atje për dhjetë vite. Autoritetet rajonale kanë vënë në dispozicion rreth 20 milionë euro për rikonstruksionin e këtyre pronave, duke mbuluar plotësisht shpenzimet e restaurimit, ndryshe nga programet e njohura italiane të shtëpive me një euro.
Sipas rregullave të programit të quajtur “La Calabria ti regala la casa”, banesat nuk kalojnë në pronësi të përfituesve, por jepen për përdorim falas për një periudhë dhjetëvjeçare. Nisma përfshin 50 prona të shpërndara në 26 bashki me më pak se 5 mijë banorë, si Torre di Ruggiero, San Mango d’Aquino, Cessaniti dhe disa vendbanime të tjera të rajonit.
Për të aplikuar, kandidatët duhet të jenë mbi 18 vjeç, të kenë jetuar jashtë Kalabrisë për të paktën tre vite dhe të pranojnë zhvendosjen e vendbanimit kryesor në rajon për dhjetë vite. Banesat nuk mund të jepen me qira dhe as të përdoren për qëllime turistike, ndërsa përparësi në përzgjedhje do të kenë familjet me fëmijë, çiftet e reja, prindërit e vetëm, emigrantët që rikthehen, punonjësit në distancë dhe personat me aftësi të kufizuara.
Aplikimet janë hapur më 5 nëntor dhe do të vijojnë deri më 18 dhjetor. Sipas të dhënave të institutit italian të statistikave, popullsia e Kalabrisë është zvogëluar me 6,4% gjatë dekadës së fundit për shkak të largimit të banorëve, veçanërisht të rinjve, ndërsa autoritetet shpresojnë që kjo nismë të rikthejë jetën në fshatrat dhe qytetet e vogla.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






