

BRUKSEL — Sulmuesi i njohur Romelu Lukaku ka njoftuar tërheqjen përfundimtare nga kombëtarja e Belgjikës, vetëm një ditë pas fitores së “Djajve të Kuq” ndaj Italisë në Ligën e Kombeve. Vendimi u bë publik përmes një mesazhi në rrjetin social Instagram, ku 33-vjeçari mbyll kështu një kapitull 16-vjeçar me ekipin përfaqësues.
Në deklaratën e tij, Lukaku shprehu mirënjohjen e thellë për shokët e skuadrës dhe trajnerët që e kanë mbështetur gjatë gjithë këtij rrugëtimi.
“Gjatë këtyre 16 viteve kam dhënë gjithçka për ekipin kombëtar. Kam kaluar nëpër çdo emocion të mundshëm dhe kam luajtur me shokë skuadre fantastikë, për të cilët do të jem gjithmonë mirënjohës. Dua të falënderoj të gjithë trajnerët që më kanë shtyrë përpara dhe kanë besuar tek unë. Ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm dhe kam shijuar çdo moment”, shkroi Lukaku.
Sulmuesi belg falënderoi gjithashtu tifozët, duke vënë në pah krenarinë për përfaqësimin e vendit të tij në shtatë turne madhorë ndërkombëtarë, katër Kupa Bote dhe tre Kampionate Europiane.
“Jam krenar që kam përfaqësuar vendin tim në katër Kupa Bote dhe tre Kampionate Europiane. Nuk do t’i harroj kurrë ato momente. Jam i qetë me vendimin tim. Ishte e pabesueshme, ishte e bukur dhe jam mirënjohës. Faleminderit”, përfundoi sulmuesi belg.
Largimi i Lukakut vjen vetëm pak ditë pas njoftimit të Cristiano Ronaldos për të ardhmen e tij me Portugalinë, duke shënuar një tjetër tërheqje të rëndësishme në futbollin ndërkombëtar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






