

TIRANË — Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj Sara Milës, duke e cilësuar atë si “kriminele elektorale” dhe duke kërkuar dorëzimin e menjëhershëm të mandatit. Pas paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”, Berisha e akuzoi Milën për përdorim të administratës dhe ndihmës sociale në funksion të rezultatit zgjedhor, si dhe për përfshirje të bandave në dhunën ndaj kryebashkiakëve në zonën e Peqinit dhe rrethinat e tij.
Në prononcimin e tij për mediat, lideri i opozitës akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se ka organizuar 4300 aktivitete paraelektorale të ndaluara me ligj me qëllim ndikimin te zgjedhësit, si dhe për shpërndarjen e shpërblimeve financiare gjatë fushatës.
“Në kundërshtim me ligjet, Rama organizoi 4300 aktivitete paraelektorale të ndaluara me ligj për të ndikuar tek zgjedhësit. Sara Mila është përgjegjëse se ka kërkuar dy-trefishimin në fshatrat e Peqinit, apo ka futur bandat të rrahin kryebashkiakët e këtyre zonave. Është një kriminele elektorale”, deklaroi Berisha.
Kreu i demokratëve vijoi akuzat duke e cilësuar kryeministrin Rama si “superkriminel” që mbrohet nga drejtësia, ndërsa kërkoi që Sara Mila të mbajë përgjegjësi ligjore për urdhrat e dhëna në administratën lokale të Peqinit.
“Superkriminel është Edi Rama, me të cilin jo që nuk merren, por e mbrojnë, sepse Rama shpërndau në mes të fushatës 100 euro për 760 mijë zgjedhës në dhunim të ligjeve. Sara urdhëroi drejtoreshën e ndihmës sociale në Peqin të trefishojë ndihmat sociale sepse i duheshin votat. Duhet të dorëzojë mandatin e të shkojë atje ku e meriton”, përfundoi Sali Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






