

ZAGREB — Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk e ndal domosdoshmërisht trendin e largimit të qytetarëve drejt vendeve më të zhvilluara të bllokut, një fenomen që po e përjeton në mënyrë dramatike Kroacia. Që prej hyrjes së saj në BE në korrik të vitit 2013 e deri më sot, vlerësohet se rreth 400 mijë deri në 450 mijë shtetas kroatë janë shpërngulur kryesisht drejt Gjermanisë, Austrisë dhe Irlandës.
Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave të Kroacisë, vetëm në dekadën 2013-2023 janë regjistruar mbi 370 mijë të larguar, por demografët kroatë dhe statistikat e vendeve pritëse tregojnë se shifra reale është edhe më e lartë, pasi shumë emigrantë nuk e çregjistrojnë vendbanimin e tyre në vendlindje.
Kjo hemorragji demografike ka krijuar një mungesë kronike të fuqisë punëtore vendase, e cila nuk kufizohet më vetëm te kamerierët në Zagreb dhe zonat bregdetare. Kriza ka goditur rëndë edhe sektorin e përpunimit të mishit dhe traditën e njohur të therjes së derrave në rajonin e Sllavonisë, ku kompanitë nuk po arrijnë të mbulojnë kërkesën dhe po detyrohen të punësojnë punëtorë nga Filipinet.
Sipas vlerësimeve të Bankës Popullore të Kroacisë, në vend punojnë aktualisht rreth 125 mijë deri në 130 mijë punëtorë të huaj. Të dhënat e Eurostatit e rendisin Kroacinë në vendin e tretë në Bashkimin Evropian, pas Maltës dhe Qipros, për numrin e lejeve të qëndrimit të lëshuara për shtetasit jashtë BE-së në raport me popullsinë, ku mbi 95 për qind e tyre janë leje pune.
Brenda kësaj vale migracioni, struktura e punëtorëve nga Azia po ndryshon me shpejtësi. Për herë të parë, punëtorët nga Filipinet ua kanë kaluar atyre nga Nepali, duke marrë rreth 20 mijë leje pune, një rritje prej 42 për qind. Punëdhënësit kroatë po i preferojnë filipinasit si në turizëm ashtu edhe në industri, për shkak të njohjes së mirë të gjuhës angleze, përshtatjes më të lehtë kulturore dhe afërsisë fetare.
Ndërkohë, fuqia punëtore nga rajoni po shënon rënie. Statistikat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë tregojnë se lejet e punës për shtetasit e Kosovës kanë rënë nga 9,922 në vitin 2023, në 8,139 në vitin 2024 dhe 6,355 në vitin 2025, ndërsa për periudhën janar-gusht 2026 janë regjistruar vetëm 4,165 leje. Kroacia po shërben gjithnjë e më shumë si një stacion tranzit për punëtorët kosovarë, të cilët pas fitimit të përvojës largohen drejt Gjermanisë dhe Austrisë për paga më të larta.
Hapja e tregut kroat për punëtorët nga Azia dhe Afrika po shoqërohet edhe me tensione shoqërore dhe raste të diskriminimit ekonomik. Hulumtimet sociologjike vënë në dukje distancë të madhe sociale dhe rritje të incidenteve raciste, ndërsa Avokatja e Popullit e Kroacisë ka paralajmëruar se punëtorët aziatikë shpesh paguhen më pak se vendasit, u mbahen pasaportat dhe strehohen në kushte të rënda banimi, duke nxitur sindikatat të kërkojnë kontrolle më të rrepta shtetërore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






