Transmetuar më 16-11-2026, 08:28

Inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si policia heton krimet dhe identifikon personat në rrezik në Britaninë e Madhe. Policia e Bedfordshire ka zhvilluar, në bashkëpunim me kompaninë amerikane të teknologjisë Palantir, një sistem të quajtur “Nectar”, i cili analizon të dhëna nga disa baza të ndryshme dhe ndihmon efektivët të identifikojnë më shpejt kërcënimet, të parandalojnë dhunën dhe të përshpejtojnë hetimet.

Shefi i Policisë së Bedfordshire, Trevor Rodenhurst, thekson se teknologjia nuk mund të zëvendësojë praninë e efektivëve në rrugë dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët, por mund të kryejë një sasi pune që normalisht do të kërkonte angazhimin e rreth 30 punonjësve të policisë.

Sipas tij, inteligjenca artificiale u jep mundësi efektivëve të kursejnë kohë në detyrat administrative dhe analizimin e informacionit, duke u përqendruar më shumë te puna në terren. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një forcë policore që përballet me mungesë prej rreth 500 efektivësh.

Sistemi identifikoi mbi 1 mijë gra të rrezikuara nga partnerët e dhunshëm

Një nga rezultatet më të rëndësishme të përdorimit të sistemit “Nectar” lidhet me mbrojtjen e grave që mund të jenë viktima të dhunës në familje.

Platforma ndihmon në zbatimin e të ashtuquajturit “Clare’s Law”, një mekanizëm ligjor në Britani që u jep mundësi personave të kërkojnë informacion nëse partneri i tyre ka një të kaluar me sjellje të dhunshme.

Përmes analizimit të shpejtë të të dhënave policore, sistemi ndihmoi në identifikimin e rasteve që kërkonin ndërhyrje dhe bëri të mundur që numri i njoftimeve për gratë të rritej ndjeshëm. Nga 158 raste në vitin 2023, numri i rasteve të zbuluara dhe të trajtuara përmes këtij mekanizmi arriti në 1,019 gjatë vitit 2025.

Sipas policisë, platforma reduktoi ndjeshëm kohën e nevojshme për kontrollet, nga rreth një orë në vetëm 10 minuta.

Përfitime janë evidentuar edhe në mbrojtjen e fëmijëve. Sistemi ka ndihmuar në identifikimin e më shumë rasteve të të miturve që mund të jenë në rrezik, duke përshpejtuar referimin e tyre te institucionet përgjegjëse.

Zbuloi prova për një bandë që vodhi 700 mijë paund

Një tjetër rast ku teknologjia dha rezultate lidhet me hetimin e një grupi të organizuar kriminal, i cili kishte vjedhur rreth 700 mijë paund nga bankomatet.

Gjatë hetimit, policia përdori sistemin për të analizuar rreth 1.5 terabajt të dhëna të marra nga pajisjet elektronike. Platforma ndihmoi në përpunimin e një sasie të madhe komunikimesh, përkthimin e mesazheve dhe identifikimin e provave që lidhnin personat e përfshirë me krime të tjera të rënda.

Një tjetër funksion i teknologjisë lidhet me përpunimin e dokumentacionit të dosjeve penale. Automatizimi i procesit të redaktimit të dokumenteve ka ndihmuar në uljen e dosjeve të refuzuara nga prokuroria për shkak të problemeve me dokumentacionin, nga 80% në 20%. Megjithatë, rezultatet vazhdojnë të kontrollohen nga punonjësit njerëzorë.

Marrëveshje 10 milionë paund, por ngrihen shqetësime për privatësinë

Përdorimi i teknologjisë së Palantir në policinë britanike ka hapur edhe debate për mbrojtjen e të dhënave personale dhe kontrollin mbi informacionin që përpunon sistemi.

Policia e Bedfordshire, së bashku me forcat e policisë së Cambridgeshire dhe Hertfordshire, si dhe një njësi rajonale operacionale, kanë nënshkruar një marrëveshje pesëvjeçare me vlerë 10 milionë paund me kompaninë amerikane.

Shefi i policisë Rodenhurst këmbëngul se të dhënat mbeten nën kontrollin e autoriteteve britanike dhe se qasja në to kufizohet sipas përgjegjësive të punonjësve. Gjithashtu, është ngritur një panel mbikëqyrës me përfaqësues të komunitetit për të kontrolluar përdorimin e teknologjisë.

Megjithatë, organizatat që mbrojnë të drejtat e qytetarëve kanë shprehur shqetësime për rrezikun e mbledhjes dhe analizimit të të dhënave tepër sensitive, si dhe mundësinë që individë të pafajshëm të identifikohen gabimisht si persona me rrezikshmëri.

Ndërsa disa forca policore kanë vendosur të mos vazhdojnë provat me teknologjinë e Palantir, Bedfordshire dhe dy forcat partnere kanë zgjedhur të investojnë më tej në këtë sistem.

Debati në Britani pasqyron një dilemë gjithnjë e më të madhe për të ardhmen e policimit: si të përdoret inteligjenca artificiale për të parandaluar krimet dhe për të lehtësuar punën e efektivëve, pa cenuar privatësinë dhe të drejtat e qytetarëve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit