Transmetuar më 15-11-2026, 23:40

Leeds / Britani e Madhe, 15 nëntor 2026 – Një ndjekje policore me shpejtësi skëterrë në orët e para të mëngjesit të sotëm ka përfunduar në një tragjedi të rëndë në qytetin britanik të Leeds, duke u marrë jetën dy të rinjve të pafajshëm. Aksidenti fatal u regjistrua rreth orës 00:44 të së dielës, në rrugën Gelderd Road, ku një automjet që po u ikte efektivëve të policisë u përplas dhunshëm me një makinë tjetër.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga autoritetet britanike, gjithçka nisi kur drejtuesi i një automjeti tip BMW refuzoi t’i bindej urdhrit të patrullës për të ndaluar dhe shtoi shpejtësinë për t’u larguar. Gjatë manovrave të rrezikshme në tentativa për t’i shpëtuar ndjekjes, BMW-ja u përplas kokë më kokë me një automjet Volkswagen Scirocco, ku udhëtonin dy të rinj.

Goditja rezultoi fatale për dy personat që ndodheshin në Volkswagen: drejtuesi 22-vjeçar humbi jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa pasagjerja 23-vjeçare ndërroi jetë pak më vonë në spital, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.

Katër të arrestuar dhe dyshimet për drejtim mjeti nën efektin e drogës

Menjëherë pas përplasjes, policia ka vënë në pranga katër personat që ndodheshin në bordin e BMW-së: drejtuesin 39-vjeçar të mjetit, si dhe tre të mitur – dy djem të moshës 16 dhe 17 vjeç, dhe një vajzë 16-vjeçare. Tre adoleshentët pësuan lëndime fizike nga aksidenti, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndaj shoferit 39-vjeçar rëndojnë akuza të rënda penale, pasi ai dyshohet për shkaktimin e vdekjes përmes drejtimit të rrezikshëm të automjetit, si dhe për drejtimin e mjetit nën ndikimin e kanabisit.

Për shkak të natyrës së ngjarjes dhe përfshirjes së patrullave në ndjekje, çështja i është referuar automatikisht Zyrës së Pavarur për Sjelljen e Policisë (IOPC), e cila ka nisur një hetim të posaçëm për të vlerësuar procedurat dhe rrethanat e ndjekjes policore. Ndërkohë, policia britanike u ka bërë apel qytetarëve, dëshmitarëve okularë dhe drejtuesve të mjeteve që disponojnë pamje nga kamerat e makinave (dashcam) të kontaktojnë autoritetet për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit