Transmetuar më 15-11-2026, 23:23

Astronomët kanë bërë një zbulim të jashtëzakonshëm në hapësirë, duke identifikuar një yll të vdekur që lëshon impulse misterioze radiofonike çdo tetë minuta, ndërsa orbiton rreth një ylli të ngjashëm me Diellin, më shumë se 5 000 vite dritë larg Tokës.

Zbulimi u realizua nga studiuesit në degën e Universitetit Curtin të Qendrës Ndërkombëtare për Kërkime në Radioastronomi (ICRAR). Kërkimi zbulon një kombinim yjor të paidentifikuar më parë, duke ofruar të dhëna të reja për origjinën e disa prej sinjaleve më enigmatike në Rrugën e Qumështit.

Një sistem yjor i rrallë dhe xhuxhi i bardhë misterioz Sistemi yjor, i pagëzuar me emrin GPM J071507−114153, përbëhet nga një xhuxh i bardhë – mbetja jashtëzakonisht e dendur e një ylli që ka shteruar lëndën djegëse bërthamore – dhe një yll i tipit G, i cili i përket të njëjtës kategori të përgjithshme si Dielli ynë.

Deri më tani, astronomët kishin konstatuar impulse të ngjashme radiofonike vetëm në sisteme që përmbanin xhuxhë të bardhë dhe yje më të vegjëf e më të ftohtë, të njohur si xhuxhë të kuq. Ky shënon rastin e parë kur sinjale të tilla identifikohen në një sistem ku një xhuxh i bardhë sillet rreth një ylli të ngjashëm me Diellin.

Ky çift bën pjesë në një grup të pazakontë objektesh të njohura si transiente me periudhë të gjatë (LPT), të cilat prodhojnë emetime radiofonike që shfaqen dhe zhduken në intervale kohore prej disa minutash deri në disa orë. Për herë të parë, studiuesit kanë mundur të ndjekin lëvizjen e saktë të xhuxhit të bardhë në orbitën e tij rreth yllit shoqërues, duke përcaktuar se pulsimet vijnë nga një rajon pranë tij, ose mbase nga vetë ylli i vdekur.

Vëzhgimet nuk ndaluan te sinjalet radiofonike. Ato i dhanë gjithashtu shkencëtarëve mundësinë të studionin aktivitetin magnetik të yllit shoqërues të ngjashëm me Diellin. Sipas bashkautores së studimit, profesoreshës Natasha Hurley-Walker, të dhënat zbuluan shpërthime yjore dhe struktura të ngjashme me prominencat yjore – laqe gjigante plazme dhe gazi të elektrizuar që shpërthejnë nga sipërfaqja e yllit, të mbajtura nga fusha të fuqishme magnetike.

Sistemi u zbulua fillimisht përmes skanimit të Rrugës së Qumështit me teleskopin MWA (Murchison Widefield Array) në Australinë Perëndimore. Më pas, pozicioni i saktë u përcaktua me ndihmën e radioteleskopit MeerKAT në Afrikën e Jugut, ndërsa vëzhgimet optike nga Observatori W. M. Keck në Hawaii konfirmuan praninë e yllit shoqërues të ngjashëm me Diellin.

Astronomët theksojnë se ky zbulim përfaqëson vetëm një paraprirje të asaj që do të arrihet në të ardhmen, me zhvillimin e plotë të rrjetit të teleskopëve të gjeneratës së re Square Kilometre Array (SKAO), të cilët do të mundësojnë zbulimin e shumë sistemeve të tjera të ngjashme në thellësi të universit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit