Transmetuar më 15-11-2026, 18:56

Cërrik, 15 nëntor 2026 – Talenti dhe përkushtimi shkencor i të rinjve shqiptarë vijojnë të korrin suksese të njëpasnjëshme në arenën e dijes. Loris Qose, 15-vjeçari nga Cërriku i kthyer tashmë në një simbol të ekselencës akademike, ka shtuar në koleksionin e tij medaljen e 12-të, duke u vlerësuar me çmimin e artë (Gold Award) në edicionin e këtij viti të Panairit Shkencor të Inxhinierisë dhe Shkencave (ASEF 2026).

Këtë herë, nxënësi i shkollës “7 Marsi” në Cërrik ka triumfuar në kategorinë Histori–Gjeografi, duke bindur jurinë shkencore me punimin e tij kërkimor të titulluar: “Harmonia e Kozmosit: Arkitektura Hapësinore dhe Mekanika Orbitale e Sistemit tonë Diellor”.

Një projekt kërkimor dhe një rrugëtim i udhëhequr nga akademia

Lajmin e arritjes së re e ka ndarë vetë Lorisi përmes një mesazhi plot emocion në rrjetet sociale, ku ka vënë theksin te puna e gjatë kërkimore dhe mbështetja e figurave kyçe të arsimit dhe shkencës shqiptare që e kanë orientuar gjatë këtij projekti.

“Më në fund, medalja e 12-të zgjodhi të ishte prej ari! Pas një periudhe të gjatë pune, përkushtimi dhe sfidash, ky vlerësim përfaqëson një motivim të rëndësishëm në rrugëtimin tim akademik. Si pjesëmarrja ime e parë në ASEF dhe një nga angazhimet e mia të para kërkimore shkencore, kjo përvojë ka qenë jashtëzakonisht e vlefshme,” shprehet 15-vjeçari.

Në dedikimin e tij, Qose ka shprehur mirënjohje të veçantë për personat që kontribuuan në formësimin shkencor të punimit:

Mbikëqyrësen e projektit: MSc. Denada Canaj, për orientimin e vazhdueshëm metodologjik.

Kontributin universitar: Prof. Dr. Mimoza Hafizi dhe Prof. Dr. Elisabeta Peti pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, për këshillimin e specializuar shkencor.

Mentoren e përhershme: Mësuesen e matematikës, MSc. Flutura Hoxholli, e cila e ka mbështetur që në hapat e parë të olimpiadave.

Një rekord sukssesh nga Cërriku në Shtetet e Bashkuara

Medalja e artë në ASEF 2026 vjen si vazhdimësi e një serie rezultatesh mbresëlënëse që e kanë vendosur emrin e Loris Qoses në qendër të vëmendjes brenda dhe jashtë vendit. Kujtojmë se më herët, 15-vjeçari nga Cërriku ka ngritur lart flamurin shqiptar në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku në olimpiadën ndërkombëtare “Neo Science Olympiad” u shpall fitues i vendit të parë në Matematikë dhe vendit të tretë në Kimi.

Me 12 medalje të fituara në disiplina të ndryshme – që shtrihen nga shkencat ekzakte e deri te studimet hapësinore e gjeografike – Loris Qose konfirmon profilin e një studiuesi të ri premtues për të ardhmen e shkencës shqiptare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit