

Arrestohet ish-ministri i Kosovës Astrit Haraqija, dyshohet për përfshirje në kontrabandë droge, çfarë u sekuestrua gjatë operacionit
Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është arrestuar në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Heshtja”, i zhvilluar dje më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, nën dyshimin për përfshirje në kontrabandimin e lëndëve narkotike.
Arrestimi i tij është konfirmuar nga avokati Korab Bokshi, i cili sot ka bërë të ditur se klientit të tij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Sipas avokatit, gjatë kontrollit të ushtruar nga autoritetet në banesën e ish-ministrit nuk është gjetur asnjë send apo provë inkriminuese. Bokshi ka mohuar përfshirjen e Haraqijës në veprimtarinë kriminale për të cilën dyshohet.
Operacioni “Heshtja” ka çuar në arrestimin e gjashtë personave, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, 16 mijë euro para të gatshme, gjashtë automjete, armë zjarri, ora luksoze dhe sende të tjera me vlerë.
Vlera e përgjithshme e lëndës narkotike dhe aseteve të sekuestruara përllogaritet në rreth 301 mijë euro.
Hetimet vijojnë për të sqaruar rolin e secilit prej personave të arrestuar dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar kriminale.

Astrit Haraçia
Çfarë tha avokati Korab Bokshi
“Është e vërtetë që Astritin e kanë arrestuar mbrëmë. E kanë intervistuar, për efekt të hetimit nuk do të hyja në detaje, e kanë ndërlidhur me disa vepra kinse ka të bëjë me kontrabandim të narkotikëve. E kanë pyetur për disa persona, kinse ky si figurë publike i njeh”.
Avokati ka mohuar që klienti i tij të ketë lidhje me këta persona, duke thënë se mund t’i ketë takuar në ngjarje politike, por nuk ka njohje apo shoqëri me ta.
Ai ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në banesën e Haraqijës nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa janë sekuestruar vetëm disa kursime të fëmijëve të tij.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






