Transmetuar më 15-11-2026, 11:29

TIRANË – Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar në gjyq një jurist të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), i cili akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Sipas organit të akuzës, ai dyshohet se ka fshirë në mënyrë të paligjshme një shënim kufizues nga kartela e një pasurie në zonën e Selitës, në kryeqytet.

Në dokumentet e prokurorisë thuhet se shtetasi me inicialet A.B., jurist pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së Vlorë, është marrë i pandehur pas kallëzimit të bërë nga administratorja e një kompanie ndërtimi. Kallëzuesja pretendoi se juristi kishte hequr shënimin kufizues të një kontrate sipërmarrjeje nga kartela e një pasurie me sipërfaqe 3,250 metra katrorë, e cila ndodhet në zonën kadastrale 3292 në Selitë.

Nga hetimet e kryera rezultoi se pronarët e tokës kishin lidhur më parë një kontratë sipërmarrjeje me shoqërinë për zhvillimin e pronës. Kjo marrëveshje ishte pasqyruar zyrtarisht në regjistrin kadastral përmes një shënimi bllokimi, i cili shërbente për të garantuar mbrojtjen e interesave kontraktore të kompanisë mbi pronën në fjalë.

Praktika për shqyrtimin e kërkesës i ishte caktuar me short elektronik juristit A.B., pas kërkesës së bërë nga vetë pronarët e tokës. Ata kërkonin heqjen e kufizimit me pretendimin se shoqëria nuk kishte kryer punimet për zhvillimin e pronës, duke dorëzuar gjithashtu një njoftim noterial për ndërprerjen e marrëdhënies kontraktore. Pas këtij veprimi, pronarët kishin lidhur një kontratë të re sipërmarrjeje për të njëjtën pasuri me një tjetër subjekt.

Megjithatë, organi i akuzës konstatoi se kontrata fillestare parashikonte një afat trevjeçar për realizimin e ndërtimit, i cili llogaritej nga momenti i marrjes së lejes së ndërtimit dhe jo nga data e nënshkrimit të vetë kontratës. Sipas Prokurorisë, pretendimet e njëanshme të pronarëve për moszhvillim të pronës nuk përbënin provë të mjaftueshme për përfundimin automatik të marrëveshjes, ndaj juristi nuk duhet të kishte proceduar me fshirjen e shënimit kufizues vetëm mbi këtë bazë.

Prokuroria vlerëson se veprimet e zyrtarit kanë cenuar rëndë interesat e ligjshme të shoqërisë së parë kontraktuese dhe kanë krijuar premisa që e njëjta pasuri t’i nënshtrohet një marrëdhënieje të re me një subjekt tjetër. Çështja tashmë ka kaluar për shqyrtim në gjykatë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit