

Tre persona janë arrestuar, mes tyre një i mitur 15-vjeçar, ndërsa 18 të tjerë janë proceduar penalisht pas tubimit të zhvilluar një ditë më parë në Tiranë. Policia ka vendosur gjithashtu 44 masa administrative, dy prej të cilave në vlerën 500 mijë lekë secila.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimet dhe procedimet janë kryer në vijim të hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e akteve të dyshuara të dhunës dhe veprimeve të kundërligjshme gjatë protestës.
Në pranga është vënë shtetasi E. K., 33 vjeç, i dyshuar se ka dëmtuar trafikndarëset dhe ka thyer stendat e reklamave në rrugën “Muhamet Gjollesha”.
Gjithashtu, është arrestuar shtetasi I. R., 23 vjeç, pasi dyshohet se gjatë shoqërimit në komisariat ka goditur një punonjës policie për shkak të detyrës.
Personi i tretë i arrestuar është një 15-vjeçar, ndaj të cilit policia ka referuar veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të rendit publik”.
Përveç tre të arrestuarve, Policia e Tiranës ka nisur procedim penal edhe ndaj 18 personave të tjerë, të dyshuar për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.
Ndërkohë, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 44 procesverbale për kundërvajtje administrative. Dy prej masave të vendosura janë në vlerën 500 mijë lekë secila.
Policia bën të ditur se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në veprime të kundërligjshme dhe dokumentimin e plotë të ngjarjeve të ndodhura gjatë protestës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






