

Pas shtatë muajsh në arrati, autoritetet australiane kanë arrestuar shtetasin shqiptar Orjol Rukaj, 47 vjeç, i cili ishte arratisur në muajin prill gjatë ceremonisë mortore të vëllait të tij në Melburn.
Arrestimi i 47-vjeçarit, i cili akuzohet për vepra penale në fushën e narkotikëve, u konfirmua nga Policia e Queensland.
Orjol Rukaj mbahej në paraburgim nën akuzat për trafik droge kur kishte fituar një leje të posaçme nga shërbimi korrektues për të marrë pjesë në funeralin e vëllait të tij, të zhvilluar më 25 prill.
Pavarësisht se ishte i prangosur dhe nën mbikëqyrjen e efektivëve të sigurisë, ai arriti të largohej gjatë ceremonisë.
Sipas dëshmitarëve dhe hetimeve paraprake, Rukaj kishte ndihmuar në mbajtjen e arkivolit gjatë daljes nga varrezat dhe më pas kishte përfituar nga prania e rreth 300 personave në turmë për t’i shpëtuar mbikëqyrjes.
Hetuesit dyshojnë se ai u largua nga vendngjarja me një mjet tip Toyota LandCruiser ngjyrë e zezë.
Pas muajsh kërkimesh, Policia e Queensland lokalizoi dhe arrestoi të premten 47-vjeçarin në Bamaga, një zonë e largët pranë gadishullit Cape York, në veri të shtetit.

Pas këtij operacioni, Rukaj është vendosur sërish në qeli nën masa të rrepta sigurie, ndërsa pritet të përballet me akuzat e reja të arratisjes nga paraburgimi, krahas atyre paraprake për drogë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






