

BRUKSEL (AP) — NATO po redukton takimet e nivelit të lartë dhe nuk do të zhvillojë një samit të udhëheqësve në Shqipëri vitin e ardhshëm, siç ishte planifikuar më parë, në një kohë kur brenda aleancës po shtohen tensionet lidhur me shpenzimet për mbrojtjen, Iranin dhe luftën në Ukrainë.
Kryeministri shqiptar Edi Rama tha të enjten se “ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti, por me siguri jo në vitin 2027”. Ai tha se “në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të zhvillohet në Tiranë”, kryeqytetin e Shqipërisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u përpoq ta minimizonte rëndësinë e kësaj çështjeje.
“Ne jemi fleksibël me samitet e NATO-s”, tha ai në një intervistë për Associated Press që citon noa.al.
“Ne zhvillojmë samite kur kemi nevojë për to”, u shpreh ai, duke shtuar se samiti i ardhshëm do të mbahet “kur të jetë e nevojshme”.
Deri rreth një dekadë më parë, NATO organizonte samite çdo dy vjet.
REDUKTOHEN EDHE TAKIMET MINISTRORE
Nuk bëhet fjalë vetëm për takimet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologëve të tij.
Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s zakonisht takohen në tetor, por muajin e kaluar nuk u zhvillua asnjë takim dhe nuk është planifikuar asnjë i tillë për tetorin e vitit 2027.
Ministrat e Jashtëm kanë vetëm një takim të planifikuar për vitin e ardhshëm, në vend të dy takimeve të zakonshme, në kuadër të asaj që NATO e përshkruan si një “paketë riorganizimi”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, që kur morën detyrën, secili ka munguar në një takim të NATO-s ose është larguar përpara përfundimit të bisedimeve.
Hegseth i ka përdorur takimet e ministrave të Mbrojtjes për të kritikuar ashpër ose për t’u bërë presion aleatëve europianë dhe Kanadasë.
PIKËPYETJE MBI SHPENZIMET E SHQIPËRISË PËR MBROJTJEN
Samiti i planifikuar në Shqipëri nxjerr në pah sfidat me të cilat përballet aleanca. Shqipëria u caktua në vitin 2025 si vendi pritës i samitit të vitit të ardhshëm, por emri i saj u hoq nga deklarata e një samiti të zhvilluar në korrik.
Disa aleatë ankohen duke deklaruar se Shqipëria nuk po shpenzon mjaftueshëm për mbrojtjen dhe kanë ngurruar ta shpërblejnë vendin me organizimin e ngjarjes më të madhe të NATO-s.
Qeveria në Tiranë parashikohet të shpenzojë këtë vit 2,15% të prodhimit të saj të brendshëm bruto për mbrojtjen.
Objektivi i NATO-s është që 32 vendet aleate të shpenzojnë deri në vitin 2035 një shumë të barabartë me 3,5% të PBB-së për mbrojtjen bazë dhe 1,5% për infrastrukturën e lidhur me mbrojtjen.
Shqipëria nuk është vendi me performancën më të dobët mes 32 shteteve anëtare. Spanja, Belgjika dhe Sllovenia janë në një situatë shumë më të keqe.
Por vetë organizimi i një samiti ka kosto të jashtëzakonshme financiare dhe politike. Holandës iu desh një vit përgatitje përpara samitit të vitit 2025 në Hagë dhe një investim prej rreth 100 milionë dollarësh.
Zyrtarët thanë se NATO-s do t’i duhej të vendoste për Shqipërinë deri në tetor, në mënyrë që të kishte kohë të mjaftueshme për të organizuar një samit vitin e ardhshëm. Por tetori kaloi dhe asnjë vendim nuk u mor.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






