

Policia e Fierit ka finalizuar fazën e dytë të operacionit të koduar “Hijet e Natës”, duke zbuluar dhe sekuestruar tre automjete të vjedhura, për të cilat dyshohet se do të përdoreshin në ngjarje kriminale.
Sipas njoftimit zyrtar, automjetet janë gjetur gjatë kontrolleve të zhvilluara në zonën e Fushë-Mamurrasit, në Kurbin, dhe në Borizanë të Krujës, pas një hetimi të koordinuar nga strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Nga verifikimet ka rezultuar se dy prej automjeteve ishin vjedhur më 13 nëntor 2026 në Mallakastër, ndërsa automjeti i tretë ishte vjedhur më 13 shtator 2026 në Divjakë.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar edhe sende të tjera që konsiderohen me interes për hetimin, pasi dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë realizimit të vjedhjeve.
Faza e parë e operacionit “Hijet e Natës” kishte çuar në zbardhjen e pesë rasteve të vjedhjes së automjeteve. Në atë fazë u arrestua një prej autorëve të dyshuar, ndërsa dy persona të tjerë u shpallën në kërkim. Sipas policisë, grupi dyshohet se vidhte automjete me qëllim përdorimin e tyre në veprimtari të tjera kriminale.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale, identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë dhe kapjen e dy të kërkuarve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






