

Tiranë, 14 nëntor 2026 – Zhvillimet dhe tensionet e brendshme të regjistruara gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Gjirin e Lalzit kanë sjellë reagimin e ashpër dhe plot nota ironie të deputetes së pavarur, Marjana Koçeku. Përmes një deklarate në rrjetet sociale, ligjvënësja ka vënë në shënjestër mënyrën e menaxhimit të punimeve të forumit më të lartë socialist, duke e lexuar atë si një simptomë të krizës dhe çorientimit politik të mazhorancës.
Në analizën e saj kritike, Koçeku u ndal te epizodet e paqartësisë gjatë fjalës së kryeministrit Edi Rama, i cili fillimisht kërkoi ndërprerjen e sinjalit televiziv dhe më pas urdhëroi rikthimin e kamerave. Paralelisht, ajo ironizoi lëkundjet dhe qëndrimet kontradiktore të socialistëve lidhur me fatin politik dhe diskutimet për përjashtimin nga forumet drejtuese të figurave të njohura si Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca.
Sipas deputetes, kjo tablo e ndarë mes duartrokitjeve të sforcuara dhe kundërshtimeve të hapura dëshmon mungesën e plotë të koordinimit brenda partisë qeverisëse, çka e bën të domosdoshëm largimin e kreut të ekzekutivit nga drejtimi i vendit.
“Dikush duartroket me zell, dikush hiç. Mandej hapet shfaqja, thotë ‘mbylli kamerat’, mandej ‘hapi kamerat’. Mandej thotë ‘ta përjashtojmë’, derisa dikush tjetër ‘ta rishqyrtojmë’. Nji parti që s’di çka thotë dhe s’kontrollon dot veten e vet, si mundet me drejtu nji shtet? Sa ma parë dorëheqje, aq ma mirë,” shkruan Koçeku në reagimin e saj publik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






