

Një debat i fortë mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Elisa Spiropali ka shënuar mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të zhvilluar këtë të shtunë në Gjirin e Lalzit. Kreu socialist ka kërkuar përjashtimin e Spiropalit nga partia, por propozimi nuk është hedhur në votim, pas kundërshtimeve të shprehura gjatë mbledhjes.
Spiropali ka kundërshtuar kërkesën e Ramës, ndërsa në mbështetje të mosrealizimit të përjashtimit kanë dalë edhe Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erion Braçe.
Përplasja është shoqëruar me replika të drejtpërdrejta, ku kryeministri ka përdorur një krahasim historik për të përshkruar marrëdhënien e dikurshme me Spiropalin.
“Unë për ty kam qenë Skënderbeu dhe ti ishe Mamica, por ti i re shtëpisë tënde me gur dhe u bëre flamingo”, mësohet t’i ketë thënë Rama deputetes socialiste.
Spiropali i është përgjigjur se kritikat e saj nuk janë drejtuar personalisht kundër kryeministrit, por ndaj mënyrës së përzgjedhjes së drejtuesve dhe sjelljes së individëve që, sipas saj, abuzojnë me pushtetin.
“Unë nuk kam qenë kundër teje, por kundër mënyrës si zgjidhen ministrat dhe drejtorët, dhe atyre që abuzojnë me pushtetin dhe shfrytëzojnë Partinë Socialiste. Nëse kjo duket si flamingo, atëherë unë jam një flamingo. Kam qenë kryetare e Kuvendit, nuk ka procedurë që më përjashton”, mësohet të jetë shprehur Spiropali.
Debati nuk është kufizuar vetëm te Spiropali. Në diskutimet për masat ndaj figurave socialiste është përmendur edhe Plarent Ndreca. Fatmir Xhafaj ka mbajtur qëndrimin se ndaj Spiropalit dhe Ndrecës mund të merren masa, por ato nuk duhet të arrijnë deri te përjashtimi nga partia.
Edhe Pandeli Majko dhe Erion Braçe kanë kundërshtuar përjashtimet, duke mbështetur një qasje që nuk përfundon me largimin e anëtarëve nga Partia Socialiste. Për shkak të kundërshtimeve, kërkesa e Ramës për Spiropalin nuk ka kaluar në votim.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi pohoi në deklaratë publike se Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë.
Megjithatë ai shtoi: "Por në një parti si PS ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia".
Por pse nuk u votua në Asamble? Klosi u përgjigj: "Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë", tha ai duke mos qenë sërish i qartë në deklaratën e tij.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






