

BUDAPEST – Një ditë përpara përballjes vendimtare me Bjellorusinë, trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, ka dalë në konferencën për shtyp në Budapest, ku ka ndarë pritshmëritë e tij për këtë sfidë.
Kuqezinjtë kanë në duart e tyre mundësinë për të konfirmuar vendin e parë në grup dhe për të mbyllur në mënyrën më të mirë këtë fazë të Ligës së Kombeve.
Për teknikun italian, kjo është një ndeshje me shumë rëndësi, ku përtej rezultatit, Shqipëria synon të tregojë edhe një herë forcën dhe vazhdimësinë e saj. Maran ka komentuar kundërshtarin, gjendjen e lojtarëve dhe pritshmëritë për takimin që do të zhvillohet në Hungari.
Gjatë deklaratës për mediat, trajneri i Kombëtares u ndal te disa prej çështjeve kryesore të skuadrës:
Mungesa e Ramadanit: “Nuk jam i shqetësuar për mungesën e Ramadanit. Nesër do të ketë mundësi dhe shanse për lojtarë të tjerë që të jenë gati dhe të tregojnë vlerat e tyre.”
Situata e Muçit: “Nesër do të shohim gjendjen e Muçit. Ai nuk është stërvitur sot dhe do të bëjmë një vlerësim përfundimtar për të vendosur nëse do të jetë i gatshëm.”
Vlerësimi për kundërshtarin: “Ky kundërshtar na ka vendosur në vështirësi më shumë se të gjithë të tjerët në këtë grup. Ata kanë humbur vetëm ndaj nesh dhe kjo tregon se do të jetë një ndeshje e vështirë. Megjithatë, ne jemi gati dhe të vendosur. Kemi identitetin tonë dhe lojtarët janë gati të japin gjithçka për të marrë rezultatin që na nevojitet.”
Përqendrimi te fusha dhe jo te llogaritë: “Nuk kemi bërë asnjë llogari. Ne hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin dhe nuk duhet të mendojmë për asgjë tjetër që lidhet me llogaritë e grupit. Objektivi ynë është të bëjmë ndeshjen tonë dhe të marrim rezultatin që dëshirojmë.”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






