Transmetuar më 14-11-2026, 18:54

TIRANË – Një incident është shënuar gjatë protestës përpara Kryeministrisë, ku dy protestues janë shkëputur nga grupi dhe kanë goditur me një shtyllë hekuri derën e godinës së Kryesisë së Kuvendit.

Pas njoftimit për ngjarjen, efektivët e policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke u zhvendosur drejt vendit të incidentit dhe me të mbërritur aty kanë vendosur një kordon policor te godina e Kryesisë së Kuvendit.

Tubimi kishte nisur më herët përpara Ministrisë së Arsimit, ku studentët bllokuan përkohësisht Rrugën e Durrësit dhe ngritën mesazhin “Ne nuk harrojmë”, në referencë të përplasjeve me policinë gjatë protestave të mëparshme. Në zonë ishin angazhuar rreth 700 efektivë.

Gjatë pasdites, protestuesit u zhvendosën në disa akse të Tiranës, duke kaluar edhe nga zona e 21 Dhjetorit, përpara se të riktheheshin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pranë Kryeministrisë. Marshimi është shoqëruar me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, por edhe me slogane kundër klasës politike.

Më herët, pranë Ministrisë së Arsimit, dy kosha mbeturinash janë përfshirë nga flakët, ndërsa situata më pas u tensionua edhe pranë Kryesisë së Kuvendit. Protesta zhvillohet në ditën e 168-të të mobilizimit, me studentët që vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe të refuzojnë ofertat e qeverisë për dialog.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit