Transmetuar më 14-11-2026, 17:42

SPANJË – Një operacion i madh kundër trafikut ndërkombëtar të drogës është zhvilluar në Valencia të Spanjës, ku autoritetet kanë sekuestruar 1.763 kilogramë kokainë, të fshehur mes një ngarkese trungjesh druri. Në kuadër të operacionit janë arrestuar katër persona, mes tyre edhe një shtetas shqiptar, i cili dyshohet se ishte pronari dhe financuesi i dërgesës së lëndës narkotike. Sipas medias spanjolle, pas kësaj ngarkese dyshohet se qëndron sërish i ashtuquajturi “Karteli i Ballkanit”.

Operacioni u zhvillua nga Garda Civile, Policia Kombëtare dhe autoritetet doganore, pas informacioneve për një ngarkesë të dyshimtë që kishte mbërritur nga porti i Guayaquil-it në Ekuador. Pas kontrollit me skaner të dy kontejnerëve, autoritetet zbuluan kokainën e fshehur mes trungjeve të drurit. Me autorizim të gjykatës, agjentët ndoqën në mënyrë të fshehtë transportin e kontejnerëve deri në një magazinë industriale në Aldaia, ku ndërhynë në momentin e shkarkimit të drogës.

Në pranga përfunduan dy shtetas spanjollë, një kolumbian dhe shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Sipas medias spanjolle, dy spanjollët dyshohet se ishin përgjegjës për shkarkimin e kamionëve, kolumbiani përfaqësonte prodhuesit e drogës, ndërsa shqiptari dyshohet se ishte pronari dhe financuesi i ngarkesës.

Hetimet vijojnë për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në këtë rrjet dhe për të identifikuar të gjithë organizatorët e trafikut. Mediat spanjolle raportojnë se ky sekuestrim vjen pas një tjetër operacioni të zhvilluar në Portin e Valencias, ku dy ditë më parë ishte bërë e ditur kapja e afro 3 tonëve kokainë. Autoritetet po hetojnë gjithashtu rikthimin e aktivitetit të rrjeteve të trafikut në këtë port, i cili përdoret si pikë hyrëse për transportimin e lëndëve narkotike drejt Madridit dhe vendeve të tjera të Evropës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit