

PRISHTINË – Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka evidentuar shkelje të rënda në rastin e vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt, të shkaktuara nga veprimtaria dhe mosveprimi i Qendrës për Punë Sociale.
Raporti i hartuar pas inspektimit ka konstatuar mosrespektim të afatit gjyqësor, neglizhencë në përmbushjen e detyrave, mosveprim sipas detyrës zyrtare dhe mungesë të mbikëqyrjes profesionale nga ana e institucionit përgjegjës.
“Shkeljet konsistojnë në dorëzimin e raportit në Gjykatë jashtë afatit shtatëditor, të përcaktuar me aktvendimin e datës 24.09.2026. Raporti është dorëzuar më 05.10.2026; Neglizhencën në përmbushjen e detyrave të punës, përkatësisht mungesën e pajustifikuar të menaxheres së rastit në seancën gjyqësore të datës 05.10.2026”, ka njoftuar Ministria përmes një deklarate zyrtare.
Më tej në raport theksohet se nuk është realizuar as monitorimi që kërkohej sipas detyrës zyrtare pas pranimit të aktvendimit gjyqësor të datës 07.09.2026, pavarësisht faktit se Qendra për Punë Sociale kishte përgjegjësi të plotë ligjore për të vepruar edhe në mungesë të detyrimeve të posaçme të përcaktuara nga Gjykata.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






