Transmetuar më 14-11-2026, 12:43

PRISHTINË – Kombëtarja e Kosovës ka dorëzuar pranë UEFA-s listën zyrtare me 23 futbollistë për ndeshjen e rëndësishme të sotme kundër Izraelit, e cila vlen për xhiron e pestë të Grupit 3 në Ligën B të Ligës së Kombeve. Ballafaqimi do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 15:00.

Për këtë grumbullim, përzgjedhësi Franco Foda kishte ftuar fillimisht 27 lojtarë, duke përfshirë edhe disa prurje të reja. Megjithatë, procesi i përgatitjeve është shoqëruar me disa ndryshime të detyruara në organikë. Gjatë ditëve të para, nga grupi u liruan Valmir Matoshi dhe Erblin Osmani, ndërsa në vend të tyre iu bashkua Betim Fazliji.

Më pas, situata u ndërlikua edhe nga dëmtimet e papritura, të cilat detyruan që grumbullimin ta lënë Lumbardh Dellova dhe Ermal Krasniqi. Këto zhvillime e ngushtuan numrin e lojtarëve në dispozicion të stafit teknik në 24, duke bërë që të merrej vendimi përfundimtar për listën prej 23 futbollistësh. Sulmuesi 18-vjeçar i Stuttgartit, Enis Rexhepi, ka mbetur jashtë listës për këtë përballje.

Pavarësisht mungesave, reparti ofensiv i Kosovës ruan fuqinë e tij me emra të spikatur si Vedat Muriqi, Edon Zhegrova, Fisnik Asllani, Baton Zabërgja dhe Albion Rrahmani. Përfaqësuesja synon fitoren para tifozëve vendas për të siguruar qëndrimin në Ligën B dhe për të mbajtur të hapura synimet për pozitat e larta në grup.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit