

UASHINGTON — Pasojat e bllokimit kombëtar të trafikut ajror në Shtetet e Bashkuara janë shtrirë edhe në sektorin hekurudhor. Operatori kombëtar i transportit të pasagjerëve, Amtrak, ka njoftuar se po përballet me probleme serioze në shërbimet dixhitale dhe në linjat e kujdesit ndaj klientit, të shkaktuara nga dyndja e udhëtarëve që kërkojnë alternativa udhëtimi.
Kompania konfirmoi se faqja e saj zyrtare e internetit dhe aplikacioni celular po shfaqin mesazhe gabimi, ndërsa pasagjerët po hasin vështirësi të mëdha për të kontaktuar me përfaqësuesit e shërbimit të klientit për shkak të rritjes së ndjeshme të numrit të telefonatave.
"Ju kërkojmë ndjesë për mesazhet e gabimit si në faqen tonë të internetit, ashtu edhe në aplikacion, si dhe për vështirësitë në kontaktimin me një përfaqësues të kompanisë. Për momentin po përballemi me një numër telefonatash më të lartë se zakonisht, për shkak të problemeve të vazhdueshme në transportin ajror", bëri të ditur Amtrak në reagimin e saj zyrtar.
Kjo mbingarkesë vjen pasi Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA) urdhëroi pezullimin në shkallë kombëtare të ngritjeve të avionëve, pas një defekti teknik në sistemet e komunikimit të qendrave të kontrollit të trafikut ajror. Kjo situatë ka shtyrë mijëra qytetarë t’i drejtohen trenave për të realizuar udhëtimet e planifikuara.
Ndonëse Amtrak nuk ka publikuar ende shifra konkrete mbi rritjen e rezervimeve shtesë, kompania saktësoi se vështirësitë aktuale lidhen vetëm me platformat online dhe qendrën e thirrjeve, duke mos raportuar ndërprerje të qarkullimit fizik të trenave. Operatori u ka rekomanduar qytetarëve që të provojnë sërish shërbimet digjitale në një moment të mëvonshëm, ndërsa ende nuk ka një afat të saktë për rikthimin e plotë në normalitet të sistemeve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






