Transmetuar më 13-11-2026, 21:14

Tiranë, 13 nëntor 2026 – Përplasja mbi Reformën Zgjedhore në Kuvend ka hyrë në një fazë të re kushtëzimesh, teksa Partia Demokratike i është përgjigjur ftesës së përsëritur të bashkëkryetarit socialist, Damian Gjiknuri, duke vendosur në tryezë një paketë të re ligjore me 45 nene si parakusht për vijimin e dialogut parlamentar.

Përmes përfaqësuesit të saj, Oerd Bylykbashi, opozita bën me dije se synon të godasë në themel atë që e cilëson si zinxhirin e përdorimit të aparatit shtetëror në funksion të fushatës elektorale, duke kërkuar ndalimin e plotë të ndikimit përmes vendimmarrjes qeveritare, fondeve publike, administratës dhe propagandës institucionale.

Sipas propozimit të demokratëve, mekanizmat mbrojtës duhet të aktivizohen menjëherë me dekretimin e datës së zgjedhjeve, në mënyrë që sanksionet të veprojnë në kohë reale gjatë procesit dhe të mos mbeten thjesht konstatime pas përfundimit të votimit, të cilat Bylykbashi i cilësoi si masa gjysmake dhe joefektive.

“Një risi e kësaj pakete është humbja e mandatit. Ai që zgjidhet dhe konstatohet se ka përfituar nga përdorimi i burimeve shtetërore humbet mandatin, ashtu siç e humbet edhe subjekti që ai përfaqëson. Pra, ai që vjedh nuk mund të mbajë atë që ka vjedhur,” deklaroi Bylykbashi duke shpjeguar shkallëzimin e ndëshkimeve, që nisin nga gjobat dhe ndjekja penale deri te heqja e drejtës së përfaqësimit.

Përtej përgjegjësisë individuale të kandidatëve apo partive politike, drafti i opozitës parashikon një masë ekstreme edhe për vetë vlefshmërinë e procesit zgjedhor, duke kërkuar përsëritjen e votimeve nëse vërtetohet se keqpërdorimi i aseteve publike ka tjetërsuar rezultatin në një zonë të caktuar apo në shkallë vendi.

Këto ndërhyrje të propozuara për t’u përfshirë në Kodin Zgjedhor parashikohet të kenë një afat zbatimi 10-vjeçar, një periudhë e menduar nga demokratët si e domosdoshme për të disiplinua garën politike dhe për ta rikthyer procesin zgjedhor në shinat e normalitetit demokratik.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit