

Oslo, 13 nëntor 2026 – Shkencëtari shqiptar me prejardhje nga Kosova, Dr. Kushtrim Kryeziu, është vlerësuar ditën e sotme në Norvegji me çmimin prestigjioz “Dr. Ragnar Mørk” për kërkime të shkëlqyera në fushën e onkologjisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Spitalit Universitar të Oslos, ky çmim i është akorduar Dr. Kryeziut, i cili shërben në Departamentin e Onkologjisë Molekulare pranë Institutit për Kërkime mbi Kancerin, për studimet e tij inovative mbi mënyrën se si qelizat e gjalla tumorale reagojnë ndaj barnave specifike.
Puna e tij shkencore fokusohet në zhvillimin e metodave për trajtimin e personalizuar të kancerit, ku spikat krijimi i mini-tumoreve në kushte laboratorike duke përdorur indet e marra nga vetë pacientët, një qasje që ndihmon mjekët të parashikojnë saktësisht reagimin e sëmundjes ndaj terapive të ndryshme.
Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimit u mbajt sot në ambientet e Institutit për Kërkime mbi Kancerin në Oslo, ku pas prezantimit nga kryetari i komitetit, Harald Stenmark, Dr. Kryeziu mbajti edhe ligjëratën e tij shkencore si fitues i këtij vlerësimi të lartë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






