

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar qëndrimet dhe propozimet e opozitës për Reformën Zgjedhore, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së.
Ndër kërkesat kryesore të demokratëve janë votimi i detyrueshëm për qytetarët, kundërshtimi i numërimit elektronik të votave, barazia mes pozitës dhe opozitës në vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe listat 100% të hapura për këshilltarët bashkiakë.
Berisha u bëri thirrje edhe forcave të tjera politike opozitare që të mbështesin propozimin për votimin e detyrueshëm, duke argumentuar se një mekanizëm i tillë do të kufizonte mundësitë për manipulimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, përmes blerjes së votës apo nxitjes së qytetarëve për të mos votuar.
Ai solli si shembuj Australinë dhe Belgjikën, ku pjesëmarrja në zgjedhje është e detyrueshme, ndërsa kundërshtoi kategorikisht numërimin elektronik.
“Ne ftojmë të gjitha forcat politike opozitare të mbështesin votimin e detyrueshëm të qytetarëve. Jemi kategorikë kundër çdo forme numërimi elektronik, pasi ky lloj numërimi është shfaqur me probleme të mëdha në shumë vende”, deklaroi Berisha.
Barazi mes pozitës dhe opozitës në KQZ
Një tjetër kërkesë e Partisë Demokratike lidhet me përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Berisha kërkoi vendosjen e barazisë së plotë mes mazhorancës dhe opozitës në vendimmarrjen e këtij institucioni.
Sipas tij, KQZ-ja aktuale është kritikuar në raportet ndërkombëtare, ndaj propozoi krijimin e një strukture zgjedhore ku të dyja palët të kenë të drejta të barabarta.
Kreu i PD-së konfirmoi gjithashtu se partia e tij mbështet listat 100% të hapura për zgjedhjen e këshilltarëve bashkiakë, duke garantuar se ky qëndrim vlen edhe për aleatët e mundshëm të opozitës.
Koalicionet, PD kërkon ndryshimin e formulës së shpërndarjes së votave
Sa i përket koalicioneve zgjedhore, Berisha kërkoi ndryshimin e legjislacionit aktual, në mënyrë që çdo parti politike të përfitojë vetëm votat që janë hedhur për të dhe ato të mos kalojnë në favor të një force tjetër politike.
Ai e cilësoi mekanizmin aktual si antidemokratik dhe kërkoi rikthimin e një sistemi që, sipas tij, garanton përfaqësim më të drejtë të partive politike.
“Larg duart partitë e mëdha mbi koshin e votave të partive të tjera. Ne jemi për listë të hapur të partive dhe asnjë parti të mos mund të marrë votat e një partie tjetër”, u shpreh Berisha.
Vota e diasporës, kërkohet më shumë transparencë
Për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, kreu i demokratëve theksoi se PD nuk e kundërshton të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje. Megjithatë, ai kërkoi një diskutim më të gjerë për mënyrën e organizimit dhe administrimit të këtij procesi.
Sipas Berishës, duhet të gjenden mekanizma që garantojnë siguri dhe transparencë në mënyrë që vota e diasporës të mos jetë objekt kontestimesh.
Balotazhi, Berisha kërkon qeveri teknike
Një tjetër çështje e ngritur gjatë prezantimit të qëndrimeve të PD-së ishte mundësia e zhvillimit të zgjedhjeve me dy raunde, përmes sistemit të balotazhit.
Berisha u shpreh se ky mekanizëm do të ishte zgjidhja më e mirë në kushtet e një qeverie teknike, ndërsa në mungesë të saj do të krijonte, sipas tij, avantazh për mazhorancën.
Kreu i opozitës deklaroi se Partia Demokratike do të votonte menjëherë krijimin e një qeverie teknike, duke e konsideruar atë si kusht për garantimin e një procesi të barabartë zgjedhor.
Në të kundërt, sipas tij, zhvillimi i një raundi të dytë pa ndryshuar më parë qeverisjen do të dëmtonte opozitën dhe do t’i jepte mundësi mazhorancës të ndikonte në zonat ku do të zhvillohej balotazhi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






