

Një 30-vjeçar nga Thumana është arrestuar në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pasi u kap duke mbajtur një armë zjarri pistoletë pa leje. Në pranga ka përfunduar edhe një 25-vjeçar, i cili akuzohet për moskallëzim krimi.
I arrestuari është identifikuar si Petrit Shima, person me precedentë të mëparshëm penalë. Sipas raportimeve, ai ishte arrestuar më herët tri herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe dy herë për plagosje.
Shima u konstatua nga efektivët e Komisariatit Nr. 2 teksa lëvizte me taksi në zonën e ish-Bllokut. Gjatë kontrollit, policia i gjeti një pistoletë që e mbante pa lejen përkatëse, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Bashkë me të u arrestua edhe 25-vjeçari Redion Hymeri, i dyshuar për moskallëzim krimi.
Por situata është përshkallëzuar edhe pas arrestimit. Sipas informacioneve, dy të rinjtë, në gjendje të dehur, kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë gjatë kryerjes së veprimeve procedurale. Më pas, ata kanë dëmtuar edhe ambientet e dhomës së shoqërimit në Komisariatin Nr. 2 në kryeqytet.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






