

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj studentit Klevi Metaj, i arrestuar gjatë ditëve të para të protestës studentore në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama.
Apeli ka vendosur të zëvendësojë masën e “arrestit në shtëpi” me atë të “detyrimit për t’u paraqitur” një herë në muaj pranë organit përkatës. Kështu, Metaj nuk do të jetë më nën masën e arrestit në shtëpi, të caktuar më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij, Gentian Sejrani, i cili së bashku me avokatin Taulant Asllanaj e ka përfaqësuar studentin gjatë procesit në Apel.
Në reagimin e tij, Sejrani ka njoftuar gjithashtu se është regjistruar kallëzimi penal ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, lidhur me pretendimet për trajtim degradues dhe çnjerëzor ndaj studentit gjatë shoqërimit dhe ndalimit të tij.
Avokati bëri të ditur se tashmë Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë, ndërsa procedimi për kallëzimin ndaj punonjësve të policisë do të vijojë sipas rrugës ligjore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






