Transmetuar më 13-11-2026, 11:19

LONDËR — Alpinisti britanik Kenton Cool ka arritur të ngjitet 20 herë në majën e Everestit, pavarësisht se në vitin 1996 mjekët e paralajmëruan se nuk do të ecte më pa ndihmë. Atë vit, pas një rrëzimi nga shkëmbi, ai theu të dyja thembrat, por pas disa ndërhyrjeve kirurgjikale dhe tre muajve në karrocë me rrota, u rikthye në alpinizëm duke pushtuar disa nga majat më të larta të botës.

Në vitin 2022, pas ngjitjes së tij të 16-të, Cool theu rekordin për numrin më të madh të ngjitjeve në Everest nga një alpinist që nuk i përket komunitetit vendas sherpa, ndërsa rekordin e përgjithshëm e mban Kami Rita Sherpa me 32 ngjitje. Udhëtimin e tij në Himalaje e nisi si udhërrëfyes për një kompani nga Sheffieldi, ndërsa në vitin 2006 themeloi kompaninë e tij, ku punon vetëm me një klient në vit, me të cilin përgatitet deri në tre vjet për ekspeditën.

Gjatë karrierës së tij në lartësi ekstreme, alpinisti britanik është përballur edhe me momente kritike për jetën, si prishja e pajisjeve të oksigjenit që e detyroi ta ndante atë me shokët e ekspeditës, apo humbja e jetës së një alpinisti në krahët e tij në vitin 2013.

"Mali nuk e merr parasysh nëse je ngjitur 20 herë apo vetëm një herë, aty mund të vdesë kushdo", rrëfeu Cool, duke shtuar se nuk ka ndërmend të ndalet dhe se për të më shumë se numrat apo vetë maja, vlejnë përvojat, vendi dhe njerëzit e tij.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit