

TIRANË — Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO) nuk do të zhvillojë samitin e saj vjetor në Shqipëri gjatë vitit 2027, pavarësisht planeve dhe angazhimeve të shpallura më herët. Lajmi është konfirmuar nga kryeministri Edi Rama gjatë një deklarate për mediat në Dublin, përpara nisjes së një takimi të liderëve evropianë.
"Çështja është se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti. Me siguri, jo në vitin 2027", deklaroi Rama, duke saktësuar se organizimi në kryeqytetin shqiptar mund të shtyhet për më vonë: "Ndërsa në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të mbahet në Tiranë".
Sipas agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, planet për mbajtjen e samitit në Shqipëri ishin vënë në pikëpyetje prej muajsh, si pasojë e kundërshtimeve nga administrata amerikane dhe pakënaqësive të shprehura nga disa vende anëtare të Aleancës lidhur me nivelin e ulët të shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen.
Gjithashtu, burime diplomatike bëjnë me dije se NATO po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së praktikës së organizimit të samiteve çdo vit, me qëllim shmangien e tensioneve të mundshme me presidentin amerikan Donald Trump gjatë pjesës së mbetur të mandatit të tij. Megjithatë, një zyrtar i Aleancës konfirmoi të enjten se samiti i ardhshëm zyrtar mbetet i planifikuar për në Shqipëri, por vendimi për datën e saktë nuk është marrë ende.
Ndërsa në samitin e qershorit 2025 në Hagë liderët e Aleancës përmendën specifikisht takimin në Turqi për vitin 2026 të pasuar nga Shqipëria, në deklaratën e samitit të Ankarasë në korrik të këtij viti nuk u specifikua as koha dhe as vendndodhja e takimit të radhës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






