Transmetuar më 13-11-2026, 07:48

Tiranë, 13 nëntor 2026 – Konsumatorët në Tiranë përballen me çmimet më të larta të ushqimeve në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ku me të njëjtën shumë parash mund të blihen deri në 46% më shumë produkte bazë në Prishtinë dhe 34% më shumë në Shkup, sipas të dhënave të platformës ndërkombëtare Numbeo dhe statistikave të Eurostat.

Një shportë krahasuese me 15 produkte të konsumit të përditshëm kushton mesatarisht 54.6 euro në kryeqytetin shqiptar, kundrejt 46.9 eurove në Beograd, 44.6 eurove në Sarajevë, 43.8 eurove në Podgoricë, 40.7 eurove në Shkup dhe vetëm 37.3 eurove në Prishtinë. Diferencat më ekstreme shënohen te produktet bazë si vezët, ku një paketim me 12 kokrra shitet mesatarisht 3.24 euro në Tiranë (pothuajse dyfishi i çmimit prej 1.61 eurosh në Prishtinë), si dhe te qumështi me 1.97 euro për litër, rreth 88% më shtrenjtë se në Sarajevë. Çmime dukshëm më të larta regjistrohen edhe për djathin vendas (11.4 euro/kg), mishin e viçit (15.2 euro/kg) dhe disa fruta-perime si bananet e qepët.

Sipas të dhënave zyrtare të Eurostat, indeksi i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri ka arritur në 102.9% të mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa kategoria e qumështit, bulmetit dhe vezëve rezulton 35.6% mbi mesataren europiane.

Ky shtrenjtim rëndon ndjeshëm buxhetet e familjeve shqiptare, të cilat shpenzojnë rreth 40% të të ardhurave të tyre vetëm për ushqime, në një kohë kur të ardhurat për frymë mbeten në nivelin e 43% të mesatares së BE-së dhe forcimi i Lekut ndaj Euros nuk është reflektuar në uljen e çmimeve në treg.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit